Tiranë, 24 shkurt - Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në ceremoninë e nisjes së projektit për ndërtimin e rrugës së re të Lumit të Vlorës.
Kryeministri Rama u shpreh se “na është dashur të sigurojmë financimin e kësaj rruge të re prej 100 kilometrash që do t’i japë një shtysë të madhe turizmit dhe zhvillimit rural të lidhur me turizmin”.
“Është një aks i ri zhvillimi ekonomik dhe social dhe ishte i rëndësishëm ky projekt, pasi nuk duhet harruar se ne e morëm Shqipërinë me rrugë të lëna rrugëve nga ai që prapë në rrugë është dhe me një mal me borxhe. Na u desh që të merreshim fillimisht me rrugët e lëna rrugëve dhe me larjen e borxheve dhe më pas të fillonim të bënim edhe këtë financim”, tha kreu i qeverisë.
E thashë këtë, shtoi , Rama, “për t’u treguar vlonjatëve se padurimi juaj gjenetik duhet të trajtohet me shumë respekt, por duhej kaluar gjithë ky proces dhe ja ku jemi këtu për t’i hapur rrugë këtij projekti, i cili bën edhe lidhjen e fshatrave me lumin e Vlorës, përfshihen edhe rehabilitime të vet rrugëve të fshatrave dhe kjo do ta hapë rrugën e transformimit jo vetëm infrastrukturor, por edhe ekonomik dhe social për të gjithë zonën”.
“Mos harrojmë se nuk mund të bëjmë dot në 3 e pak vjet gjithçka për të rindërtuar dhe ndërtuar një zonë dhe një territor që kaq shumë është lënë pas dore. Vlora dhe qarku i Vlorës është një nga zonat ku po bëhen investime që nuk janë bërë në 25 vjet të marra së bashku”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh i bindur se “ky projekt, por edhe projekte të tjera këtu në Vlorë, do jetë i prekshëm dhe do t’i japë një rritje social ekonomike kësaj zone dhe do të jetë një shtysë edhe për rritjen ekonomike dhe turistike të vendit tone”.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri u shpreh se “Labërisë po rikthehet dinjiteti. Ky projekt nuk i shërben vetëm lumit të Vlorës, por të gjithë kësaj zone. Kjo u bë e mundur falë mbështetjes së qeverisë shqiptare, pasi janë financime të saj që shkojnë në të mirë të Labërisë dhe Vlorës”.
Ndërsa kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli u shpreh se, “reforma territoriale është një arritje e madhe e qeverisë shqiptare, e cila na bën të jetojmë në territore të mëdha së bashku dhe të mund të bëjmë projekte të tilla si ky i rrugës ë lumit të Vlorës”.