Aktorja Zoe Kravitz dhe nëna e saj, Lisa Bonet, kanë kaluar një situatë të pazakontë gjatë qëndrimit në shtëpinë e shoqes së tyre, këngëtarja amerikane, Taylor Swift, kur gjarpri i tyre, Orpheus, u fut në një vrimë të vogël në banjën e saj dhe nuk dilte dot pa bërë dëme të mëdha.
Gjatë një interviste në “Late Night with Seth Meyers”, ylli i “Big Little Lies” ka treguar se ajo dhe nëna po qëndronin në shtëpinë e Swiftit për shkak të zjarreve në pyjet e Los Angelesit që kanë ndodhur më herët gjatë këtij viti, ka raportuar FemaleFirst.
“Ajo ishte aq e sjellshme sa më lejoi të qëndroja në shtëpinë e saj… Përfundimisht qëndruam aty për rreth dy javë dhe Taylor ka një shtëpi të mrekullueshme nga vitet ’30, diçka që do të doje edhe vetë ta ruaje e të kujdeseshe për të”, ka thënë Zoe.
Ishte dita e fundit e Kravitzit në shtëpi, kur Bonet, duke larë fytyrën, e kishte lënë për një moment gjarprin në dysheme dhe ai u fut në një vrimë të vogël në cep të banjës.
“Nëna ime po mbante bishtin e gjarprit, por ata kanë shumë muskuj dhe janë shumë të fortë. Po mendoja se ndoshta vrima të çon te dollapët poshtë… i hoqa, por jo”, ka treguar Kravitz.
Ndërsa gjarpri po futej edhe më thellë, aktorja filloi “të panikohej” dhe thirri menaxherin e shtëpisë, i cili nisi të çmontonte pjesën e banjës.
“Po hiqnim pllakat. Po gërvishtnim muret. E shkatërruam banjën e saj. I thashë menaxherit të shtëpisë: ‘Sigurisht që do t’i paguaj të gjitha për t’u rregulluar. Vetëm mos i thuaj asgjë derisa të jetë rregulluar’”, ka thënë Kravitz.
Megjithatë, kur Kravitz e telefonoi këngëtaren për t’i shpjeguar situatën, Swift tashmë dinte gjithçka.
“Më kujtohet që e thirra dhe i thashë: ‘Hej, doja të flisja me ty për diçka.’ Dhe ajo më tha: ‘A është fakti që gati humbët një gjarpër në shtëpinë time dhe shkatërruat banjën?’”, ka treguar me humor aktorja.