Showbiz

Ylli i grupit “BLACKPINK”, Jisoo e lansoi albumin e parë solo, “ME”

Jisoo, njëra nga anëtaret e grupit me famë botërore “BLACKPINK”, më në fund po prezantohet para fansave si solo artiste. Ajo është anëtarja e fundit e grupit të muzikës K-pop që po e shënon debutimin si solo artiste me albumin e ri të titulluar, “ME”.

Projekti i paralajmëruar kohë më parë i përmban vetëm dy këngë, “FLOWER” dhe “All Eyes on Me”, mirëpo pak para se ato të shpërndaheshin nëpër platforma muzikore, Jisso krijoi histori duke i shitur mbi 1.31 milionë kopje, vetëm nga porositë paraprake.

Albumi “ME” tashmë është në dispozicionin e publikut anembanë botës.

Anëtaret tjera të grupit, Jennie, Rose dhe Lisa, po ashtu kanë shënuar suksese të jashtëzakonshme me projektet e tyre muzikore.

Por, pavarësisht fokusit në karrierën si solo artiste, ato vazhdojnë të jenë shumë të përkushtuara edhe si grup. “BLACKPINK” aktualisht është duke e realizuar turneun botëror “Born Pink” i cili vazhdon deri në muajin qershor.

Në fillim të muajit mars, superyjet e muzikës K-pop po ashtu u shpallën grupi më i transmetuar i vajzave në platformën Spotify, dhe kështu mbajnë rekord në Librin Botëror të Rekordeve Guinness.