Këngëtarët kanë pasur fitime rekorde deri në muajin janar kur filloi përhapja e pandemisë së koronavirusit. Anulimet e koncerteve dhe turneve kanë detyruar ata që të gjejnë mënyra të tjera të performancave, por vlerësohet se edhe ky grup do të goditet rëndë nga pandemia
Vitin e kaluar muzikantët dhe kantautorët në Mbretërinë e Bashkuar fituan shumë para, por viti 2020 po paraqet një kërcënim dhe duket të jetë jofitimprurës për ata, si pasojë e pandemisë. Paralajmërimi u bë nga “PRS for Music”, organizata që siguron që 145 mijë kantautorë, kompozitorë dhe botues në Britani që paguhen kur muzika e tyre dëgjohet në gjithë botën. Organizata mblodhi një shumë rekorde prej 810 milionë funteve vitin e kaluar, një rritje prej 8.7 për qind. Megjithatë, thuhet se kriza e shkaktuar nga COVID-19 do të rezultojë në rënie të të ardhurave në vitin 2020 dhe 2021. “Edhe pse kemi pasur një vit rekord, ne e dimë shumë mirë se jemi në periudha të paparashikueshme”, ka thënë shefi ekzekutiv, Andrea Martin. Të ardhurat nga muzika “live” dhe performancat në publik padyshim se do të goditen, jo vetëm në vitin 2020, por edhe në vitin 2021, pasi që pagesat ndërkombëtare shpesh kërkojnë shumë kohë që të realizohen deri në fund. “Po, do të ketë një rënie, por në çfarë mase, mund ta di po aq sa e dimë të gjithë ne”, ka thënë Martin.
Goditje e rëndë
“PRS for Music” përpunoi 18.8 trilionë shfaqje të muzikës vitin e kaluar, duke përfshirë transmetime, shkarkime, transmetime në radio dhe TV, muzikë të dëgjuar në bare, klube dhe ambiente koncertesh. Këngëtarët në Britaninë e Madhe kanë kontribuar në shumë prej hiteve më të dëgjuara të vitit, duke përfshirë si “Someone You Loved” nga Lewis Capaldi, “Old Town Road” nga Lil Nas X dhe “Don't Call Me Up” nga Mabel. Muzika “live” tuboi 54 milionë funte, 15 milionë më shumë sesa në vitin 2018. Të ardhurat u rritën nga turne të mëdha nga Spice Girls, Sir Elton John, Ed Sheeran dhe kthimi i Glastonbury në vitin 2018. Por, me anulimin e një vere me plot festivale dhe dhjetëra turne të mëdha të shtyra deri në vitin 2021, kjo shifër do të jetë e pamundur të arrihet këtë dhe vitin e ardhshëm. Javën që shkoi, UK Music zbuloi kontributin e muzikës live në ekonominë e Britanisë së Madhe që do të bjerë në vitin 2020 nga një vlerë prej 1.1 miliard funtesh në 200 milionë, duke e përshkruar atë si një nokaut për industrinë. Ndërkohë, Akademia e këngëtarëve dhe kompozitorëve “Ivors” ka parashikuar një humbje prej 25 mijë funteve për anëtar, për një periudhë gjashtëmujore. Izolimi gjithashtu nënkupton se shkrimtarët e këngëve do të humbasin të drejtat kur muzika e tyre dëgjohet nëpër dyqane, kinema, bare, klube dhe restorante. Në vitin 2019, kjo shifër ishte 168.2 milionë funte...
-
Dua Lipa i solli fitime marramendëse industrisë britanike të muzikës
-
Industria e muzikës ka pësuar rritje të arkëtimit të të hollave gjatë vitit 2020
-
Aston Martin parasheh rritje të fitimit pas humbjeve të mëdha vitin e kaluar
-
Viti i artit nën dry
-
Klubet e Premier Leagues do të humbasin rreth 1.12 miliardë euro shkaku i COVID-19