Amy Schumer, Shonda Rhimes dhe Julianne Moore janë pjesë e një grupi prej më shumë se 200 artistësh të Hollywoodit, që po kërkojnë një rishqyrtim të mënyrës se si përdoren armët në projektet filmike dhe televizive, raportoi të martën portali “The Guardian”.
Letra e hapur e publikuar nga organizata joprofitabile “Brady Center to Prevent Gun Violence”, është krijuar në vazhdën e tragjedive të fundit në Buffalo dhe Uvalde. Këtë vit në SHBA kanë ndodhur më shumë se 250 raste me të shtëna masive.
Derisa kjo letër thekson se problem kryesor dhe i vërtetë qëndron tek reformat në ligjin e armëve dhe politikanët të cilët më shumë kanë frikë ta humbin fuqinë sesa të shpëtojnë jetë njerëzish, ajo po ashtu e
pranon se përfaqësimi i armëve në filma dhe seriale duhet të trajtohet me kujdes të shtuar.
“Ne nuk e shkaktuam problemin, por duam të ndihmojmë në rregullimin e tij. Si tregimtarë të Amerikës, qëllimi ynë është kryesisht t’i argëtojmë njerëzit, por ne gjithashtu e pranojmë se projektet filmike dhe televizive e kanë fuqinë për të ndikuar në ndryshim. Qëndrimet kulturore ndaj pirjes së duhanit, drejtimit të mjetit në gjendje të dehur, rripave të sigurisë dhe barazisë martesore, kanë evoluar të gjitha për shkak të ndikimit që filma dhe serialet e kanë pasur ndër vite. Është koha për ta marrë përsipër tërheqjen e vëmendjes rreth sigurisë së armëve”.
Tutje, letra nuk bën thirrje për t’i dhënë fund përdorimit të armëve në ekran, por për përdorim më të përgjegjshëm të tyre si dhe rendit çështje që të tjerët duhet t’i kenë parasysh kur krijojnë projekte filmike apo televizive, si për shembull, paralajmërimi i pasojave për përdorimin e pamatur të armëve, marrja në konsideratë e alternativave tjera pa e sakrifikuar integritetin narrativ, si dhe kufizimin e skenave me fëmijë dhe armë.
Edhe
Senati amerikan miratoi Projektligjin e parë në dekada për kontrollin e armëve
Disa prej të famshmëve tjerë që e kanë nënshkruar këtë letër duke e aprovuar mesazhin e saj janë, Judd Apatow, Jimmy Kimmel, Kathleen Kennedy dhe Mark Ruffalo.
Çdo vit në Amerikë, më shumë se 40 mijë njerëz sulmohen dhe vriten me armë zjarri.