Regjisori 85-vjeçar me famë botërore, Woody Allen dhe bashkëshortja e tij, Soon-Yi Previn, e kanë kritikuar ashpër dokumentarin e kanalit HBO, “Allen v. Farrow”, i cili i shtjellon akuzat e Dylan Farrowit ndaj babait të saj adoptues. Ajo e akuzon Allenin për abuzim seksual kur ishte ende fëmijë.
Dhe në reagimin e tij, regjisori veteran këmbëngul se producentët e këtij projekti nuk kanë qenë të interesuar ta tregojnë të vërtetën.
Çifti kontrovers dhe i shumëpërfolur, Woody dhe Soon-Yi, përmes një komunikate të përbashkët thanë: “Këta realizues dokumentarësh nuk janë të interesuar në fakte të vërteta. Në vend të kësaj, ata kanë kaluar vjet të tëra duke bashkëpunuar fshehurazi me familjen Farrow, për ta krijuar një projekt të dobët dhe të mbushur me gënjeshtra”. Tutje ata bënë të ditur se janë kontaktuar nga krijuesit e dokumentarit para më pak se 2 muajve, dhe i kishin vetëm pak ditë në dispozicion për t’iu kundërpërgjigjur akuzave. Dhe natyrisht, ata nuk kanë pranuar ta bëjnë një gjë të tillë.
Dokumentari katër episodesh, “Allen v. Farrow”, debutoi në kanalin HBO të dielën, më 21 shkurt.
Allen vazhdimisht i ka mohuar akuzat për ngacmimin seksual të vajzës së tij të adoptuar, Dylan Farrow, ngjarje kjo e cila besohet të ketë ndodhur në vitin 1992. Akuzat kundër regjisorit i ka mbështetur edhe nëna e Dylanit, aktorja Mia Farrow, e cila kishte luajtur në disa filma të Allenit dhe ishte në lidhje me regjisorit për një kohë të gjatë, para se ai ta braktiste për vajzën e saj të adoptuar, Soon Yi Previn. Deri më tani, regjisori nuk është paditur ndaj akuzave për abuzim.
Woody Allen është fitues i katër shpërblimeve Oscar, përfshirë këtu kategorinë “Regjisori më i mirë” për filmin e vitit 1977, “Annie Hall”, i cili po ashtu u shpall filmi më i mirë i atij viti.