Aktori i njohur amerikan, Alec Baldwin, do ta intervistojë regjisorin e përfshirë në disa skandale, Woody Allen, raporton “The Hollywood Reporter”.
Baldwin e bëri të ditur këtë lajm përmes një videoje të postuar në Instagram, duke treguar se do ta intervistojë regjisorin kontrovers të martën mbrëma, përmes një videolidhjeje pikërisht në këtë rrjet social.
Duke qenë se pret që veprimi i tij të kritikohet, aktori këtë postim e shoqëroi edhe me një mesazh të shkruar: “Më lejoni t’iu paraprijë kritikave tuaja, duke deklaruar se nuk kam fare interesim për gjykimet dhe postimet moralizuese të kujtdo. Unë jam padyshim një person që i ka bindjet e veta dhe nuk e lodhi kokën fare për spekulimet e të tjerëve”.
Mesazhi i Baldwinin i referohet serisë së dokumentarëve të realizuara nga Kirby Dick dhe Amy Ziering për kanalin HBO, “Allen v. Farrow”, i cili e eksploron një akuzë për abuzim seksual të bërë kundër regjisorit të famshëm në vitin 1992, nga vajza e tij e adoptuar Dylan Farrow, e cila ishte shtatë vjeç kur dyshohet se ka ndodhur abuzimi.
Pavarësisht se Farrow i bëri publike akuzat e saj kundër Allenin në vitin 2013 dhe 2014, vetëm pasi u krijua lëvizja #metoo anembanë botës, regjisori filloi të përballej me reagime të ashpra nga publiku rreth ngjarjes së supozuar.
Woody Allen nga atëherë është shndërruar në person të padëshiruar në Hollywood, me ç’rast studioja “Amazon” e anuloi marrëveshjen në vlerë prej 68 milionë dollarësh me të, për realizimin e katër projekteve kinematografike. Filmat e fundit të regjisorit po ashtu kanë hasur në vështirësi të sigurimit të shpërndarjes.
Alec Baldwin edhe vet po përballet me disa probleme ligjore, si pasojë e një aksidenti tragjik që ndodhi në sheshin e xhirimeve të filmit të tij të fundit, “Rust”, me ç’rast mbeti e vdekur kinematografja, Halyna Hutchins, kurse u plagos regjisori Joel Souza. Aktori është shënjestër e padive të shumta lidhur me këtë incident.