Showbiz

Will Smith përjashtohet nga “Oscars” për 10 vjet

Foto: AP/Associated Press

Aktorit amerikan Will Smith s’do t’i lejohet të marrë pjesë në ceremoninë prestigjioze të “Oscars” për 10 vjet, si rezultat i shuplakës që ia dha komedianit Chris Rock në ceremoninë e sivjetme, ka konfirmuar Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit në Amerikë të premten.

“Bordi ka vendosur që për një periudhë prej 10 vjetësh, duke nisur nga 8 prilli 2022, zotëri Smith nuk do të lejohet të marrë pjesë në asnjë ngjarje apo program të Akademisë, si në ngjarje të zakonshme apo virtuale, por jo duke u limituar vetëm në ceremoninë e çmimeve”, kanë thënë presidenti i Akademisë, David Rubin, dhe shefi ekzekutiv, Dawn Hudson.

Vendimi u mor në mbledhjen e bordit të mbajtur më herët gjatë ditës në Los Angeles.

Takimi fillimisht ishte planifikuar të mbahej më 18 prill. Megjithatë procedura u përshpejtua, pasi që Smithi dha dorëheqje nga Akademia javën e shkuar.

“Ceremonia e 94-të e ‘Oscars’ do të duhej të ishte një festë e shumë individëve në komunitetin tonë që bën punë të jashtëzakonshme; megjithatë, ato momente ranë në hije nga sjellja e papranueshme dhe e dëmshme që e shfaqi Smithi në skenë”, vazhdon letra e bordit. “Gjatë transmetimit, ne nuk e trajtuam në mënyrë adekuate ngjarjen”, thuhet më tej në letër në të cilën Rubin e Hudsoni kërkojnë falje. “Na vjen keq, sepse kjo ishte mundësi për ne që të japim shembull për mysafirët tanë, shikuesit dhe familjen e Akademisë në të gjithë botën. Ne dështuam – qemë të papërgatitur për të paprecedenten”.

Bordi në një deklarim të mëhershëm ishte shprehur se dëshiron që çështjen ta trajtojë “në kohën e duhur”. Dorëheqja e Smithit nënkupton se ai s’është më pjesë e trupit të votimit të Akademisë, por kjo s’e pengon fituesin e çmimit të sivjetmë për “Aktorin më të mirë” që të nominohet edhe në të ardhmen, ka raportuar CNN-i.

Aktori goditi Rockun teksa ai ishte në skenë, duke bërë prezantim në ceremoni më 27 mars. Shuplaka erdhi pasi Rocku bëri shaka me flokët e shkurtuara të gruas së Smithit, Jada Pinkett Smith.

Pinkett Smith vuan nga alopecia që ka çuar në humbjen e flokëve.

Vetë Rocku s’ka folur më në publik për incidentin.

Pak ditë pas ngjarjes, Rocku u paraqit në një shou të tijin humori në Boston si pjesë e turit dhe u shpreh se “s’kam asgjë për të thënë për atë që ka ndodhur, andaj nëse keni ardhur për të dëgjuar këtë, kam pasur një tekst për ta shkruar para fundjavës. Dhe jam ende ‘duke procesuar’ atë që ka ndodhur, andaj një ditë do të flasim për të. Dhe do të jetë edhe serioze edhe komike, por tani për tani do të tregoj vetëm disa shaka”.

Në letrën e publikuar nga mediat amerikane të premten, Akademia i shpreh “mirënjohje të thellë Rockut për ruajtjen e qetësisë nën kushtet e jashtëzakonshme”.

Smithi një ditë pas ngjarjes i kërkoi falje Rockut, nëpërmjet rrjeteve sociale.

53-vjeçari Smith të nesërmen pas incidentit kishte kontaktuar producentin e ceremonisë, Will Packer. I kishte kërkuar falje dhe ishte shprehur i turpëruar, ka bërë të ditur Packer.

Gjatë intervistës për “Good Morning America”, Packer kishte thënë se policia e Los Angelesit ishte e gatshme ta arrestonte Smithin, por se Rocku nuk e kishte lejuar.