Fox Searchlight e ka publikuar fragmentin e parë për versionin e ardhshëm amerikan të komedisë së njohur suedeze “Force Majeure”, ku luajnë Will Ferrell dhe Julia Louis-Dreyfus.
Kjo dyshe e luajnë një çift të martuar në një udhëtim familjar skijimi në Alpe. Ata gjenden në një situatë të papritur pasi që mezi shpëtojnë nga një ortek, i cili i detyron ta rishikojnë jetën dhe marrëdhëniet e tyre.
Në versionin suedez të ngjarjes, bashkëshorti e braktisë gruan dhe familjen e tij për ta shpëtuar veten, dhe më pas mëson se orteku nuk e ka lënduar askënd. Kështu që ai e shpëtoi veten, të gjithë mbijetuan, ndërsa tani duhet të ballafaqohet me pasojat e veprimeve të tij egoiste dhe me pyetjen se çfarë do të thotë kjo për marrëdhëniet e tyre në familje, shkruan KOHA Ditore.
Versioni amerikan është bërë me regji të Nat Faxon dhe Jim Rash, të cilët edhe e kanë shkruar skenarin në të cilin ka punuar edhe Jesse Armstrong.
Në film luajnë edhe Zach Woods, Zoë Chao dhe Miranda Otto. Filmi do ta ketë premierën në janar në festivalin Sundance, ndërsa me kino-distribuim fillon më 14 shkurt 2020.