Burrit i cili e qëlloi me arme zjarri dhe e vrau muzikantin legjendar, John Lennon, jashtë apartamentit të tij në Manhattan në vitin 1980, i është refuzuar lirimi me kusht për të 12-n herë, raportoi të martën portali “Billboard”.
Sipas Departamentit Shtetëror të Korrigjimeve dhe Mbikëqyrjes së Komunitetit, Mark David Chapman, në fund të muajit gusht doli para bordit për lirim me kusht, për të bërë thirrje për shqyrtimin e rastit të tij. Por edhe një herë, përpjekja e tij për t’u liruar dështoi.
67-vjeçari Chapman e vrau ish-anëtarin e grupit “The Beatles”, në mbrëmjen e 8 dhjetorit të vitit 1980, derisa Lennon dhe Yoko Ono po ktheheshin në apartamentin e tyre pas një eventi. Në fillim të asaj dite, Lennon ia kishte nënshkruar Chapmanit një kopje të albumit të tij, “Double Fantasy”.
Zyrtarët shtetërorë nuk i kanë vënë ende në dispozicionin e publikut, transkriptet e intervistës së fundit të bordit me Chapmanin, por ai ka shprehur vazhdimisht pendim në seancat e mëparshme të lirimit me kusht. Chapman i quajti veprimet e tij “të neveritshme” gjatë seancës dëgjimore në vitin 2020, dhe tha se ai nuk do të kishte asnjë ankesë nëse ata zgjedhin ta lënë në burg për pjesën tjetër të jetës.
“E kam vrarë Lennonin sepse ai ishte shumë i famshëm, dhe kjo është arsyeja e vetme. Unë po kërkoja të bëhesha i famshëm për diçka. Ishte një veprim egoist”, kishte deklaruar atëkohë Chapmani.
Mark David është duke vuajtur dënimin e përjetshëm në burgun “Green Haven Correctional Facility”, në veri të qytetit të Nju Jorkut. Paraqitja e tij e radhës para bordit për lirim me kusht do të jetë në shkurt të vitit 2024.

-
Djali i John Lennonit rrëfen për përballjen për herë të dytë me kancerin
-
Publikohet kënga e “fundit” e “The Beatles”
-
I dyshuari për vrasjen e Tupac del para gjyqit
-
Vrasjet brutale të shkaktuara nga ndjekësit e Charles Mansonit
-
Qëndroi 28 vjet në burg për një vrasje të cilën nuk e kreu, lirohet amerikani