Suzanne Somers, aktorja bionde e njohur për rolin e Chrissy Snow në serialin “Three’s Company”, si dhe për projektet e saj të biznesit, ka vdekur. Ajo ishte 76-vjeçare.
Lajmi i hidhur u bë i ditur përmes një komunikate për media nga publicisti i aktores, R. Couri Hay, i cili ndër të tjera zbuloi se bashkëshorti, Alan Hamel, dhe djali i saj Bruce, së bashku me anëtarët tjerë të familjes ishin afër aktores në minutat e fundit të jetës.
“Familja ishte mbledhur për ta festuar ditëlindjen e saj të 77-të, që është të hënën më 16 tetor. Por, në vend të kësaj ata kanë vendosur ta nderojnë jetën e saj të jashtëzakonshme. Po ashtu të gjithë po ndihen falënderues ndaj miliona fansave të saj për dashurinë që ia kanë dhuruar për kaq shumë vjet”.
Në muajin korrik, Somers e ndau një mesazh në Instagram përmes së cilit zbuloi se i është rikthyer kanceri në gji.
“Si çdo pacient tjetër i kësaj sëmundjeje, kur e merr lajmin se kanceri është kthyer të shembet bota para syve. Më pas i vendos pajisjet luftarake dhe bëhesh gati për luftë. Ky është terren i njohur për mua dhe më besoni që jam shumë e fortë”.
Për herë të parë, Somers u diagnostikua me kancer të gjirit në vitin 2000. Më vonë u ballafaqua edhe me kancerin e lëkurës. Ajo u përball me disa kritika për stilin jetësor që ajo e përshkruan si një mënyrë jetese pa kimikate dhe organike, për të luftuar kancerin.
Edhe
Familja e Bruce Willis: Gjithmonë ka synuar t’i argëtojë njerëzit
Gjatë karrierës, Somers u shfaq në disa seriale televizive në vitet ’70 përfshirë këtu, “The Rockford Files”, “Magnum Force” dhe “The Six Million Dollar Man”. Por, roli i saj më i suksesshëm ishte në projektin “Three’s Company”, i cili u transmetua në kanalin ABC nga viti 1977 deri më 1984. Ajo gjithashtu e ka luajtur rolin e nënës në serialin e famshëm për fëmijë, “Step by Step”.
Aktorja ishte gjithashtu e njohur për librat e saj dhe shquhej si autore ‘bestseller’ nga “New York Times”. Gjithashtu ishte e suksesshme në fushën e biznesit me krijimin e disa produkteve për shëndetin dhe bukurinë, përkatësisht pajisjet e stërvitjes të njohura me emrin “ThighMaster”.
Përgatiti: Edona Binaku