Këngëtarja Coco Lee, e cila shijoi famën në Azi në vitet 1990 dhe 2000, ka vdekur në moshën 48-vjeçare.
E lindur në Hong Kong, Lee u transferua në SHBA kur ishte fëmijë dhe lansoi albume në gjuhën mandarine dhe angleze.
Ajo gjithashtu luajti karakterin kryesor në versionin mandarin të filmit hit të Disney-it “Mulan”, dhe performoi një këngë nga kolona zanore e “Crouching Tiger, Hidden Dragon” në Oscars 2001.
Motrat e saj thanë se ajo kishte qenë në komë që nga fundjava kur ishte përpjekur të vriste veten.
“Lee qe disa vjet ka vuajtur nga depresioni”, shkruan motrat e saj më të mëdha Carol dhe Nancy në një postim në Facebook.

Coco Lee
Sipas tyre të dielën ajo u përpoq t’i jepte fund jetës së saj dhe u dërgua në spital ku vdiq të mërkurën.
Lee hyri në skenën e Mandopop në vitin 1994 me dy albume në gjuhën mandarin. Në vitin 1995 ajo publikoi një album në gjuhën angleze si dhe një album të tretë poashtu në mandarin.
"Jo vetëm që na solli gëzim me këngët dhe vallet e saj në 29 vitet e fundit, ajo gjithashtu punoi shumë për të krijuar terren të ri për këngëtarët kinezë në skenën ndërkombëtare të muzikës dhe ka bërë çmos të shkëlqejë për kinezët", shkruan motrat e Lees.
Kënga e saj “Before i fall in love” është në kolonën zanore të filmit hollivudian “Runaëay Bride” të vitit 1999, me Julia Roberts dhe Richard Gere.
Ajo ndër të tjera kishte performuar në koncertin bamirës “Michael Jackson & Friends” në Korenë e Jugut në vitin 1999. Gjithashtu ka qenë gjyqtare në shfaqjet e talenteve televizive duke përfshirë “Chinese Idol”.
Lee në një postim të bërë natën e Vitit të ri më 2023 tha se ajo kishte hasur pengesa të mëdha në jetë dhe e përshkroi vitin 2022 si një vit jashtëzakonisht të vështirë.
Kënga e saj e fundit” Tragic” u publikua më 14 shkurt të këtij viti.
Në vitin 2011, Lee u martua me Bruce Rockoëitz, ish-kryeshef ekzekutiv i gjigantit të zinxhirit të furnizimit me bazë në Hong Kong, “Li & Fung”.
Zërat se ata ishin ndarë filluan të dalin në sipërfaqe rreth tre vjet më parë, por Lee nuk iu përgjigj kurrë atyre. (Përgatiti Vita Abrashi-Kajtazi)