Ikona e Bollywoodit, Dilip Kumar, i njohur si “Mbreti i Tragjedisë” dhe njëri prej aktorëve më të mëdhenj të kinematografisë indiane, ka vdekur të mërkurën në një spital në Mumbai, pas një sëmundjeje të gjatë. Ai ishte 98-vjeçar.
Si “Mbreti i Tragjedisë” u cilësua pas angazhimit në një sërë rolesh serioze. Në disa prej tyre personazhet e tij vdiqën si dashnorë të zhgënjyer dhe pijanecë. Ai njihet gjithashtu si aktor me performanca shumë shprehëse, duke u identifikuar ndjenjat e secilit personazh.
Kumar ishte hospitalizuar dy herë muajin e kaluar, pas problemeve me frymëmarrje.
“Dilip Kumar do të rikujtohet si legjenda e kinemasë. Ai ishte i bekuar me një madhështi të pashoqe, shkaku i së cilës njerëzit e gjeneratave të ndryshme e donin shumë. Humbja e tij është humbje për botën tonë kulturore”, ka thënë kryeministri indian, Narendra Modi, në një mesazh të postuar në Twitter.
Emri i tij i vërtetë ishte Muhammad Yusuf Khan dhe kishte lindur më 11 dhjetor 1922 në një familje myslimane. Familja e tij ishte nga Pakistani dhe ai e vizitoi shtëpinë e të parëve në vitet ‘80.
Kumar ishte shumë i famshëm edhe në Pakistan. Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, ka shprehur pikëllimin e thellë për vdekjen e Kumarit.
“Për gjeneratën time, Dilip Kumar ishte aktori më i mirë”, ka shkruar Khan.
Ai e kishte ndryshuar emrin kur kishte debutuar në Bollywood, në industrinë e filmit në gjuhën indiane me qendër në Mumbai, pasi ishte angazhuar në filmat “Jwar Bhata” dhe “Sea Tides” më 1944.
Gjatë karrierës së tij ka luajtur në më shumë se 60 filma. Më të famshmit mes tyre janë: “Jugnu” më 1947, ku ai luajti përkrah Noor Jehanin, dhe filmi i vitit 1948 “Shaheed”.
Ai luajti personazhe të shumëllojshme – heroin romantik në “Andaz”, pijanecin dramatik në “Devdas”, rolin komik në “Azaad” e shumë të tjerë.
Ka qenë pjesë e shumë filmave të zhanrit dramë, si: “Footpath”, “Naya Daur”, “Musafir”, dhe “Paigham” gjatë viteve ‘50.
Koleget me të cilat punoi ishin: Madhubala, Nargis, Nimmi, Meena Kumari, Kamini Kaushal dhe Vyjanthimala.
Më 1966, Kumar u martua me Saira Banun, që ishte 22 vjet më e re sesa ai, dhe çifti aktroi së bashku në filmat “Gopi”, “Sagina Mahato” dhe “Bairaag”. Ata nuk patën fëmijë.