Kompania “Legendary”, e cila gjendet prapa filmit të shumëpritur të regjisorit Denis Villeneuve, “Dune”, po kërcënon se do të ngre padi ligjore, nëse ky projekt kinematografik nuk do të lansohet për ca muaj në kinema, para se të fillojë së shfaquri në platformat digjitale.
Sipas portalit “Deadline”, kompania në fjalë e cila e ka financuar 75 për qind të filmit, është befasuar nga vendimi i studios “Warner Bors.”, e cila është përgjegjëse për distribuimin e këtij projekti, që t’i lansojë të gjithë filmat e planifikuar për vitin 2021 në formë hibride, që do të thotë se ata do të shfaqen nëpër kinema dhe në platformën HBO Max, në të njëjtën kohë.
Ky vendim i studios së njohur filmike në Hollywood, tashmë është kritikuar publikisht nga regjisorë të famshëm, si Christopher Nolan, Judd Apatow, Patty Jenkins dhe Denis Villeneuve.
Në një artikull të publikuar nga më 10 dhjetor “Variety”, regjisori i filmit “Dune” ka deklaruar se me këtë vendim, “Warner Bros.” nuk po shfaq aspak dashuri apo respekt për kinemanë dhe adhuruesit e filmit.
Me regji të Denis Villeneuve, i njohur për filma të tillë si “Blade Runner 2049” dhe “Sicario”, në këtë projekt të shumëpritur nga publiku luajnë aktorët e famshëm: Zendaya, Rebecca Ferguson, Timothee Chalamet, Josh Brolin, Dave Bautista, Jason Momoa, Oscar Isaac, Stellan Skarsgard dhe Javier Bardem.
“Dune” e rrëfen historinë e Paul Atreides, një djalosh i ri me aftësi të jashtëzakonshme, i cili duhet të udhëtojë në një prej planetëve më të rrezikshëm në univers, për ta siguruar të ardhmen e familjes së tij fisnike dhe të mbarë popullit. Por konflikti pason me forcat keqdashëse për kontrollin e një burimi të quajtur “Melange”, i cili kur konsumohet mund ta përmirësojë shëndetin e njerëzve dhe e rrit jetëgjatësinë. Melange, po ashtu, është jetik për t’i ndihmuar udhëtimet në hapësirë dhe njëkohësisht është produkti më i kërkuar në të gjithë universin.
Filmi fantastiko-shkencor ishte planifikuar të publikohej në kinematë botërore më 18 dhjetor. Por për shkak të pandemisë së koronavirusit, lansimi i tij është shtyrë për 1 tetor të vitit 2021.