Showbiz

Vazhdimi i filmit “KPop Demon Hunters” nuk do të vijë shpejt në Netflix

K-Pop Demon Hunters

K-Pop Demon Hunters, fotografi nga Netflix

Sipas një raporti të shkurtër të Deadline, është konfirmuar se vazhdimi i filmit të shumëpërfolur, “KPop Demon Hunters 2” pritet të dalë në vitin 2029, një pritje që Forbes po e konsideron shumë të gjatë për adhuruesit që mezi po presin vazhdimin e filmit të parë, i cili u publikua në muajin korrik të vitit 2025.

Kjo do të thotë se midis dy filmave do të ketë një hapësirë prej gati katër vjetësh.

Platforma Netflix dhe gjigandi Sony, që për momentin nuk kanë dhënë asnjë koment, po “synojnë vitin 2029 për publikimin e filmit”, thuhet në raport. Por, siç ndodh shpesh në industrinë e animacionit, ky ritëm i ngadaltë nuk është diçka e pazakontë.

Për krahasim, dalja e filmit të parë “KPop Demon Hunters” u njoftua që më 8 mars 2021, ndërsa doli më 20 qershor 2025, një periudhë përgatitjeje prej katër vjetësh e tre muajsh e gjysmë. Një shembull tjetër i ngjashëm është seria e filmave të animuar Spider-Verse nga Sony.

Filmi “Into the Spider-Verse” doli në muajin dhjetor të vitit 2018, “Across the Spider-Verse”, doli në qershor 2023, pra pas katër vjetësh e pesë muajsh, ndërsa filmi i tretë ende nuk ka datë publikimi, dy vjet pas të dytit.

Pra, siç shkruan Forbes, “animacioni kërkon kohë, dhe nuk është aspak befasuese që ‘KPop Demon Hunters 2’ mund të dalë pothuajse në vitin 2030, madje ndoshta edhe në vitin 2030”

Megjithatë, pyetja që shtrohet është se çfarë do të bëjë Netflix për të përfituar nga popullariteti i jashtëzakonshëm që filmi po gëzon tani, pesë muaj pas publikimit.

Filmi vazhdon të mbledhë miliona e miliona shikime dhe të qëndrojë në listën e 10 më të ndjekurve të Netflixit.

Së fundmi, Netflix ka publikuar “lyric videos” për disa prej këngëve më të mëdha të filmit, pas versionit “sing-along” që u shfaq në kinema dhe fitoi 24 milionë dollarë. Ka edhe raportime për një film të shkurtër, që thuhet se është gati për publikim, por ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Ndërkohë, krijuesit e kanë përjashtuar idenë e një versioni “live-action”, ndërsa një serial televiziv do të kërkonte po aq punë sa një film i plotë.

Prandaj, sipas Forbesit, “Netflix thjesht mund të duhet të jetë i durueshëm... dhe të nxjerrë një mori produktesh ‘KPop Demon Hunters’, që tashmë janë në plan për t’u hedhur në treg”.

“KPop Demon Hunters ka pasur ndikimin më të madh kulturor më shumë se çdo film apo seri që është lansuar këtë vit”, shkruan revista.

Por sipas Frobesit, për ta vazhduar këtë trashëgimi me një vazhdim të plotë, fansat do të duhet të presin shumë, shumë gjatë.