Aktorja amerikane, Tiffany Haddish, e ka thyer heshtjen rreth akuzave të ngritura kundër saj për abuzim seksual me fëmijë.
Komediania e famshme e ndau një deklaratë për media në Instagram, ku thuhej: “E di që njerëzit kanë shumë pyetje rreth kësaj çështje. E kuptoj këtë. Edhe unë kam shumë pyetje për të bërë. Fatkeqësisht, për shkak se rasti është në hetim e sipër, tani mund të them shumë pak gjëra rreth rastit”.
Në padi thuhet se Haddish dhe komediani, Aries Spears, e bindën një vajzë 14-vjeçare dhe një djalë 7-vjeçar për të xhiruar video komike, në të cilat secilit fëmijë iu kërkua të kryente akte sugjestive seksuale para kamerës. Ngjarja besohet të ketë ndodhur në vitin 2013 dhe sipas paditëses, e cila është mbajtur anonim për publikun, njëra prej këtyre videove ishte titulluar “Përmes syve të një pedofili” dhe ishte ngarkuar në ueb faqen komike, “Funny or Die”, shkruan “Fox News”.
“Sigurisht, ndërsa ky skeç kishte për qëllim të ishte komik, nuk ishte aspak qesharak dhe më vjen shumë keq që pranova të luaja në të. Mezi pres që të jem në gjendje të ndaj me ju më shumë për këtë situatë, sa më shpejt që është e mundur”, deklaroi tutje Haddish.
Sipas dokumenteve ligjore, viktimat e supozuara e njihnin Haddishin si “teze”, falë miqësisë së saj të gjatë me nënën e tyre. Ata ishin përkatësisht 14 dhe 7 vjeç, kur Haddish dhe Spears i rekrutuan për të xhiruar video komike, por që në fakt përfunduan duke qenë video abuzuese që u kanë shkaktuar atyre probleme psikike dhe emocionale.
Në një video të supozuar, dy fëmijët u udhëzuan nga Haddish që të “rënkonin dhe të bënin zhurma seksuale ndërsa të dy e hanin një sandviç nga skajet e kundërta, në një mënyrë që e simulonte një akt seksual”.
Edhe
Ish-aktori padit P.Diddyn për sulm seksual
Po ashtu në këtë video, Aries Spears shihet duke shfaqur epsh ndaj fëmijës 7-vjeçar dhe duke e ngacmuar atë gjatë gjithë kohës.
Dy komedianët po akuzohen për shkaktim të shqetësimit emocional, dhunë seksuale, pakujdesi të rëndë, ngacmim seksual dhe abuzim seksual ndaj të miturve. Haddish akuzohet gjithashtu për shkelje të detyrës së mirëbesimit, mbikëqyrje të pakujdesshme dhe mashtrim konstruktiv.
Avokati i Haddishit, Andrew Brettler, i quajti akuzat ndaj klientes së tij “pretendime false”, duke thënë se e ëma e fëmijëve të përfshirë në këtë rast gjyqësor, ka kohë që tenton t’i zhvatë aktores të holla përmes shantazhit.
