Showbiz

Thyen heshtjen i dyshuari në rastin e Liam Paynet

Liam Payne

Liam Payne

Një njeri i cili është akuzuar se e ka furnizuar me substanca narkotike këngëtarin tashmë të ndjerë, Liam Payne, para vdekjes së tij, ka thënë se “nuk i ka dhënë drogë asnjëherë”, ndërkohë që ka pranuar se kanë konsumuar substanca të tilla bashkë në dy ngjarje.

Ish-anëtari i grupit të njohur “One Direction” vdiq më 16 tetor pasi kishte rënë nga ballkoni i një hoteli në Argjentinë.

Rezultatet e autopsisë së këngëtarit kanë treguar se në organizmin e tij është gjetur substanca narkotike kokaina rozë, e ashtuquajtura “tusi”, e cila është përzierje e disa narkotikëve.

Autorietet janë duke i hetuar tre njerëz, njëri prej të cilëve, Braian Nahuel Paiz, e ka thyer heshtjen, duke mohuar se i ka dhënë substanca narkotike këngëtarit. Ai ka pretenduar se Payne tashmë ishte nën ndikim të drogës kur u takua me të për herë të parë, në vendin e tij të punës, më 2 tetor.

“Asnjëherë nuk e kam furnizuar Liamin me drogë. Kontakti i parë i tij me mua ishte në vendin tim të punës. Ne ndamë detaje dhe u pamë bashkë më vonë gjatë asaj nate. Gjithçka ishte normale. Ai erdhi prej dhomës së tij që të më marrë mua, sepse kisha humbur. Pasi u takuam ai më tregoi për muzikën që po përgatitej ta plasonte”, ka thënë Paiz, në emisionin Argjentinas, “Telefe Noticias”, raporton FemaleFirst.

Ai ka shpjeguar tutje se ka dëgjuar njerëz duke thënë se ai po drogohej, por e vërteta është se, kur u takuan, ai ishte tashmë nën ndikim të drogës dhe nuk kishte ngrënë asgjë.

“Në një moment mu afrua dhe më pyeti për kontaktin tim. I kam dhënë detajet e faqes time të Instagramit dhe më pas më dërgoi një mesazh sepse dëshironte të merrte drogë, ani pse kishte konsumuar tashmë. Ishte data 2 tetor. Kur isha në dhomën e tij pimë nga pak whisky. E kaluam natën bashkë, konsumuam drogë, sepse e vërteta është se ka ndodhur diçka intime. Ai nuk ishte aspak agresiv, ai u sill shumë mirë me mua, ishte shumë i ëmbël. Më ka pyetur se a po ndihem mirë”, ka shpjeguar tutje Paiz.

Ai ka thënë se i ka të gjitha mesazhet kur e kanë organizuar takimin e dytë dhe se nuk ka fshirë asgjë. Ai tutja ka thënë se kanë marrë drogë bashkë, por nuk i ka çuar drogë asnjëherë dhe s’ka marrë para prej tij.

“Kam mesazhe ku ai më ofron para sepse ishte mësuar të ofrojë para për çdo gjë, por nuk kam pranuar asgjë. Kur po shkoja, ai donte të mi jepte disa rroba në mënyrë që t’i kisha si kujtim që kam qenë me të, por i kam lënë prapa TV-së sepse nuk doja t’i merrja”, ka shpjeguar Paiz, i cili shpjegon se Payne ka pranuar ta takonte një shok të tij, i cili ishte adhurues.

“Ai pranoi dhe pasi shkova, ai u shfaq para hyrjes ku jetoj unë dhe erdhi brenda ndërtesës dhe donte që të shkonim në hotelin e tij, por i thash se nuk mundem sepse jam në punë. Orari i punës më fillonte në orën 11:30 para dreke, por më duhej të shkoja më herët. Kjo ishte hera e fundit që e kam parë. Ai hipi në një taksi dhe shkoi”, ka thënë Paiz, në emisionin argjentinas.