Aktorja me nam botëror, Charlize Theron, ka folur për ndryshimin e politikave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtet që u bë shtëpia e saj.
Në fjalimin e përvitshëm për projektin “Africa Outreach Project Block Party”, që ka për qëllim përmirësimin e mirëqenies dhe shëndetit të të rinjve në Afrikë, Theron ka thënë se për të është tejet e rëndësishme që po i kushtohet vëmendje, sidomos “në një kohë kur bota po digjet, për shkak të asaj se si është bërë”.
“Këtu në Los Angeles, në Shtetet e Bashkuara dhe gjithandej botës, jemi duke ecur së prapthi. Politikat e imigrimit kanë shkatërruar jetët e familjeve, jo kriminelët; të drejtat e grave po shkelen e po zhduken çdo ditë; jetët e transgjinorëve dhe queer po zhduken dhe dhuna në baza gjinore po rritet”, ka thënë ajo në fundjavë, sipas “The Hollywood Reporter”.
Çështja e emigrimit është personale për yllin e “Monster”. Ajo ka emigruar nga Afrika e Jugut drejt Shteteve të Bashkuara dhe u bë shtetase amerikane më 2007.
Organizimi i saj mbahet çdo vit me qëllimin për të mbledhur fonde për të ndihmuar të rinjtë në Afrikë. Ajo ka folur haptas kundër ndaljes së ndihmave nga SHBA-ja. “Ndalja e ndihmave ka bllokuar totalisht programet kundër HIV-it dhe AIDS-it në vendin tim në Afrikën e Jugut”, ka thënë ajo.
“E gjithë kjo jo vetëm që është e dëmshme, por është edhe e rrezikshme. Njerëzit do të vdesin, shumë tashmë e kanë humbur jetën dhe për fat të keq në një shkallë të frikshme”, ka thënë ajo. “Është absolutisht zemërthyese që të shohësh këtë lloj vuajtje të panevojshme. Por ajo që po shohim gjithashtu, e atë që s’bën assesi ta humbim, është rezistenca. Ka shpresë. Ne kemi të gjithë fuqinë që të ngrihemi, të organizohemi, të protestojmë, të votojmë dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe të refuzojmë të pranojmë se ky është normaliteti i ri”.