Showbiz

“The Afterparty”, seriali i ri që përfshinë ngjarje misterioze dhe komike

Dave Franco luan në serialin e ri të platformës “Apple TV+” me titull, “The Afterparty”. Ai e portretizon një pop-yll të shndërruar në aktor i quajtur Xavier, i cili gjendet i vdekur në shtëpinë e tij pas organizimit të një ndeje. Aktori i famshëm e pranoi se për t’u përgatitur për rolin e tij në këtë projekt, i ka vëzhguar me vëmendje disa yje të vërtetë të hollywoodit.

“I kam bërë disa hulumtime në YouTube duke shikuar intervista të njerëzve të cilët nuk do t’i përmendi, sepse nuk dua të më keqkuptojnë ngase në të vërtetë mendoj se projekti jonë i nderon pikërisht këta persona që më kanë inspiruar ta luaj sa më mirë rolin tim. Por, ata me siguri se nuk do ta ndanin mendimin tim, kjo për shkak të mënyrës së si portretizohet ky personazh. Por, në fakt unë kam shumë simpati për të. Ai ka kaluar nëpër shumë gjëra në jetë, prandaj është ashtu siç është”.

Përmes konferencës për media të organizuar në formatin online, aktorja Ilana Glazer tregoi për ngjashmërinë e saj me personazhin që e luan në serial.

“Çuditërisht unë isha sikur personazhi im, presidentja e klasës, isha angazhuar në organizimin e ndejës së ritakimin e gjeneratës së shkollës së mesme, dhe isha pjesë e këshillit të studentëve. Pra, më ka rënë rasti ta organizoja një herë këtë ritakim, të cilin edhe e ndoqa personalisht dhe ishte interesante. Kishte emocione të përziera, pikëllim, gëzim, argëtim dhe të tjerë”.

Franco, i cili ende i takon rregullisht miqtë e fëmijërisë, tha se sot e ka të lehtë të kontaktojë me cilindo nxënës të shkollës së mesme përmes platformave online.

“Të jem i sinqertë, mendoj se në ritakimin e shkollës sime 10 vjet pas diplomimit, kam qenë jashtë shtetit dhe nuk kam mundur të jem prezent. Por, do të më kishte pëlqyer shumë t’i takoja të gjithë personat e gjeneratës sime. Para ca ditësh po diskutonim bashkë dhe po thoshim që sot, këto ngjarje me siguri organizohen më ndryshe dhe shumica i kanë mbajtur kontaktet online kështu që nuk është se përjetojnë ndonjë befasi kur ribashkohen. Pra, në njëfarë mënyre ti tashmë e di çfarë ka bërë secili për këto 10 vjet dhe nuk është sikur më parë, kur njerëzit takoheshin pa e pasur asnjë ide për ndryshimet jetësore apo profesionale të njëri-tjetrit”.

“The Afterparty” e rrëfen historinë e personazhit të quajtur Xavier, i cili nuk është person i dashur për miqtë e tij të shkollës. Ai e organizon një ritakim të gjeneratës së shkollës së mesme në shtëpinë e tij, por situata ndryshon kur ai përfundon i vdekur dhe shumica e personave të ftuar konsiderohen të dyshuar për kryerjen e këtij krimi. Çdo i dyshuar e ndanë versionin e tyre të mënyrës se si kanë ndodhur gjërat, të cilat edhe sjellin skena interesante dhe qesharake në ekran.

Rolet protagoniste portretizohen nga aktorët, Dave Franco, Ike Barinholtz, Zoë Chao, Ben Schwarz dhe Ilana Glazer. Në serial po ashtu luan aktorja e famshme komike, Tiffany Haddish, në rolin e Detektives Danner e cila angazhohet në zbardhjen e rastit dhe zbulimin e vrasësit të Xavierit

“The Afterparty” fillon transmetimin në “Apple TV+” nga 28 janari.