Nëse ndiheni të lodhur emocionalisht pasi keni dëgjuar albumin debutues të Teddy Swims, “I’ve Tried Everything But Therapy”, mos u shqetësoni sepse ai ju kupton saktësisht.
“Po sigurisht. Është një album që të rraskapit kur e dëgjon. Jam i sigurt që për njerëzit që nuk e kanë zemrën e thyer, dëgjimi i këtyre këngëve është një lodhje. Por, sërish ka këngë ritmike dhe argëtuese. Megjithatë, edhe ato këngë mendoj se tingëllojnë pikëlluese. I gjithë ky projekt po më ndihmon të shërohem dhe ta tejkaloj një periudhë të vështirë të jetës sime. Rëndësi ka që ky është albumi ku shfaqem më i sinqertë dhe cenueshëm se kurrë më parë”, deklaroi Swims për agjencinë e lajmeve AP.
Titulli i albumit me 10 këngë të reja pasqyron një premtim që këngëtari, i cili ka bashkëpunuar me artistë si Meghan Trainor, Illenium, Armin van Buuren dhe Matoman, i bëri vetes për të kërkuar terapi profesionale pas publikimit të projektit. Udhëhequr nga kënga melankolike dhe shpirtërore, “Lose Control”, javën e kaluar albumi arriti të pozicionohet më lart se sa pritej, në vendin e 61-të të toplistës së 200 albumeve më të mira “Billboard”.
“Aktualisht jam duke kaluar nëpër një ndarje të vështirë me një person që ka qenë pjesë e madhe e jetës sime. Prandaj, është çmenduri fakti që albumi doli në treg pikërisht në këtë kohë dhe gjithçka është edhe më reale për mua tani, se që ishte kur po i shkruaja ato këngë. Kjo është një përvojë e çuditshme dhe e veçantë”.
Nga viti 2021, Swims i ka lansuar katër EP përfshirë këtu edhe projektin me këngë Krishtlindjesh. Por, famën fillestare e arriti online, pas publikimit të versionit cover të këngës së Michael Jacksonit, “Rock With You”, në vitin 2019. Pasi kënga shumë shpejt u bë virale, këngëtari filloi të postojë më shumë këngë cover, përfshirë hitin e yllit të muzikës R&B Mario, “Let Me Love You” dhe atë të këngëtares së famshme kanadeze Shania Twain, “You’re Still the One”.
Derisa është mirënjohës për suksesin e këtyre coverave, Swims thotë se shpreson që fansat t’i përqafojnë këngët e tij origjinale të cilat burojnë nga një hapësirë e thellë dhe e pambrojtur dhimbjeje dhe maturie.
Edhe
Madonna rikthehet me “Confessions II”
“Kam mësuar shumë nga këto këngë cover, jo vetëm si të bëhem tekstshkrues më i mirë, por gjithashtu e krahasoja veten me këta artistë dhe këngët e mia me ato hite, duke dashur ta arrija atë kalibër dhe nivel të kualitetit. Sepse, në njëfarë mënyre mendoj se rrezikoja të dështoja në karrierë si pasojë e atyre këngëve cover që i kisha realizuar. Të paktën ashtu mendoja. Por, tani mendoj ndryshe. Kur bëhet fjalë për ‘covera’, pavarësisht se këngët e cilit artist i interpreton, njerëzit e transmetojnë emocionin dhe kujtimet e tyre në ato këngë. Prandaj, unë personalisht mendoj që përmes interpretimit tim, ju e dëgjoni këngën sipas mënyrës së si unë e dëgjoj atë, së bashku me të gjitha kujtimet dhe emocionet e mia të vërteta”.
“I’ve Tried Everything But Therapy (Part 1)” është një album transformues që i shtyn kufijtë, duke i ftuar dëgjuesit të vijnë së bashku në udhëtimin personal të artistit, Teddy Swims, të vetëzbulimit dhe rritjes si njeri.
Përgatiti: Edona Binaku