Aktorja Tanya Roberts, për të cilën media të shumta botërore si CNN, BBC dhe të tjerë, të hënën raportuan se ka vdekur në moshën 65-vjeçare, thuhet se është ende gjallë. Kështu ka raportuar agjenti i kamotshëm i aktores, Mike Pingel.
Pingel tha se të dielën mbrëma, ai ishte njoftuar nga partneri i Robertsit, Lance O’Brien, se aktorja kishte vdekur.
Përmes një telefonate të realizuar të hënën, O’Brien i kishte treguar gazetarëve të CNN-it se po ndihej i tronditur pasi ia ka dhënë lamtumirën e fundit të dashurës së tij, dhe ishte larguar nga spitali “Cedars-Sinai Medical Center” duke besuar se ajo ishte hera e fundit që do ta shihte aktoren.
Por pak orë më vonë, O’Brien ishte njoftuar nga spitali se Roberts është ende gjallë. Ai dhe agjenti Pingel thanë se ishte rastësi që ata ishin duke e realizuar një intervistë me “Inside Edition”, kur e morën telefonatën shokuese nga spitali.
“Jam shumë i lumtur”, citohet të ketë thënë O’Brien menjëherë pasi e ka marrë lajmin se e dashura e tij është ende gjallë.
Tanya Roberts u hospitalizua në Los Angeles më 24 dhjetor, pasi kishte humbur vetëdijen në shtëpinë e saj në Kaliforni, pas një shëtitjeje me qentë e saj. Ajo vazhdon të jetë në gjendje kritike, raportojnë Pingel dhe O’Brien.
Karriera filmike e aktores në televizion dhe film, daton prapa më shumë se 30 vjet. Disa prej roleve të saja më të njohura kinematografike janë në filmat: “Beastmaster”, “Sheena”, “Night’s Eyes” dhe “Almost Pregnant”. Sa i takon performancave televizive, Tayna Roberts i ishte bashkuar serisë “Charlie’s Angels” në sezonin e pestë dhe të fundit, që u transmetua në vitin 1980 në kanalin “ABC”. Kah fundi i viteve ’90 ajo u shfaq me një rol dytësor në serinë “That ’70s Show”.