Showbiz

Suge Knight i bën thirrje Diddyt të dëshmojë në gjyq: Trego të vërtetën tënde

Marion “Suge” Knight

Marion “Suge” Knight

Foto: Associated Press

Reperi Marion “Suge” Knight, i cili ndodhet në burg që nga viti 2015, ka bërë një thirrje të pazakontë për rivalin e tij prej dekadash, Sean “Diddy” Combs. Ai i ka kërkuar Combsit të dalë në gjyq dhe të tregojë versionin e tij të ngjarjeve, ka shkruar CNN.

Në një intervistë telefonike të shkurtër për CNN nga burgu, ku po vuan një dënim prej 28 vjetësh për vrasje, Suge Knight ka thënë se beson se Combs mund të përfitojë nëse tregon “të vërtetën e tij”.

“Nëse ai del dhe tregon të vërtetën, unë mendoj se realisht do të lirohej. Nëse Puffy del dhe thotë: ‘Po, i kam bërë të gjitha drogat, nuk isha në kontroll të jetës sime apo vetes’, ai mund ta zbutë imazhin e tij të dikurshëm dhe juria ndoshta do ta marrë parasysh”, ka thënë Knight.

Ai ka shtuar se mungesa e dëshmisë nga vetë Combs mund të interpretohet si frikë.

“Nëse vazhdon të rrijë ulur, duket sikur ka frikë të përballet me pasojat. Ai duhet të ketë besim te Zoti, të ngrejë pantallonat dhe të dalë të tregojë të vërtetën”, ka thënë Knight.

Combs, i cili përballet me akuza të rënda për trafikim seksual dhe transport për prostitucion, është deklaruar i pafajshëm. Nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat, ai rrezikon burgim të përjetshëm.

Aktualisht nuk dihet nëse ai do të dëshmojë. Sipas ekspertëve ligjorë, dëshmia mund të jetë një strategji e rrezikshme për të pandehurit, pasi hap rrugën për marrje në pyetje të ashpër nga prokuroria.

Benjamin Chew, avokati i njohur që ka përfaqësuar aktorin, Johnny Depp në gjyqin e famshëm për shpifje, ka thënë për CNN-in se këshillohet që të pandehurit të mos dalin për të dëshmuar.

“Zakonisht, këshilla për të pandehurit është të mos dëshmojnë, por në rastin e Diddyt, mund të ketë përfitime nëse mbron veten dhe shpreh pendesë për akuzat që janë ngritur ndaj tij”, ka thënë Chew.

Suge Knight, bashkëthemelues i labelit legjendar “Death Row Records”, ishte figurë e rëndësishme në përhapjen e muzikës rap në Bregun Perëndimor në vitet ‘90. Në atë kohë nisi edhe rivaliteti i tij me Combsin, që drejtonte labelin e Bregut Lindor “Bad Boy Records”. Ky konflikt përfshinte disse, deklarata publike dhe, për shumë kë, kontribuoi në klimën e tensionuar që çoi në vrasjet e reperëve të mirënjohur, Tupac Shakur dhe Notorious B.I.G.

Knight ishte në makinën ku ndodhej Tupac kur ai u qëllua për vdekje në Las Vegas në vitin 1996. Edhe pse asnjëherë nuk u akuzua për vrasjen, figura e tij mbeti e lidhur me ngjarjen.

Në seancat e fundit gjyqësore të Combs, rivaliteti me Knight është përmendur sërish nga ish-punonjës të tij.

Capricorn Clark, një ish-asistente personale e Combsit, ka dëshmuar se ai e kishte marrë një natë në Central Park dhe e kishte pyetur rreth punës së saj të mëparshme me “Death Row Records”.

“Më tha që nuk e dinte që kisha pasur lidhje me Suge Knight, dhe nëse do të kishte ndodhur ndonjë gjë, do të më kishte vrarë”, ka dëshmuar ajo.

Ndërkohë, një tjetër ish-asistent, David James, ka treguar se kur kishte takuar rastësisht Knight në një restorant, Combs ishte alarmuar dhe kishte kërkuar të ktheheshin atje bashkë me tri armë, por Knight kishte ikur para se të mbërrinin.

Knight u dënua me 28 vjer burgim në vitin 2018, pasi pa kundërshtuar pranoi fajësinë për akuzën për vrasje, në lidhje me vdekjen e një burri që ai akuzohej se e goditi me kamion gjatë xhirimeve të filmit “Straight Outta Compton”.