Një grua e cila thotë se në vitin 1973 ka qenë e përfshirë në lidhje seksuale me këngëtarin, Steven Tyler, kur ajo ishte vetëm 16-vjeçare, ka ngrehur padi kundër vokalistit të bendit “Aerosmith”. Lajmin e bëri të ditur revista “Rolling Stone”.
Padia e ngritur në bazë të Aktit të Viktimave të Fëmijëve në Kaliforni, e akuzon Tylerin për sulm seksual, dhunë seksuale dhe shkaktim të qëllimshëm të shqetësimit emocional. Sipas aktit, statuti i kufizimeve për të mbijetuarit e abuzimit në fëmijëri u hoq përkohësisht.
Tyler nuk përmendet në padi, por paditësja Julia Holcomb ka folur publikisht për ato që ajo tha se ishin përvojat e saj me Tylerin, i cili atëherë ishte rreth 25 vjeç. Sipas Julias, lidhja e tyre zgjati për tre vjet. Ajo pohon se këngëtari e furnizoi me drogë dhe alkool, bëri seks me të dhe e mori me vete në turne. Ajo mbeti shtatzënë me fëmijën e tij në moshën 17-vjeçare por rokeri i famshëm e bindi të bënte abort.
Pritet që nëse procesi gjyqësor përparon, ajo të zbulojë edhe më shumë prova inkriminuese kundër Tylerit.
Në anën tjetër, Steven Tyler në librin e tij me kujtime kishte shkruar se ai gati sa nuk ishte martuar me një tinejxhere. Sipas tij, prindërit e vajzës e pëlqenin shumë atë saqë e kishin nënshkruar një letër që ia ofronte këngëtarit kujdestarinë e vajzës së tyre, në mënyrë që ai të mos arrestohej nëse e merrte atë me vete jashtë shtetit.
Në muajin maj, grupi “Aerosmith” i anuloi tetë koncerte në Las Vegas ngase Tyler kishte nevojë të kthehej në rehabilitim. Në fillim të muajit dhjetor, bendi i anuloi edhe dy koncertet e fundit të planifikuara, për shkak të një sëmundjeje të pazbuluar që pësoi vokalisti i tyre.