Showbiz

“Star Trek” udhëton në të ardhmen për të reflektuar tek e sotmja

Sezoni i tretë i "Star Trek: Discovery" e gjen Commander Burnham (Sonequa Martin-Green) dhe disa nga anëtarët e ekipit të saj, duke dalë nga një vrimë, 930 vjet në të ardhmen, në vitin 3188.

Në shumë mënyra duket sikur viti 2020, por me një botë më të ndarë sesa të bashkuar, transmeton KOHA.

Producenti ekzekutiv i "Discovery", Alex Kurtzman, ka thënë se ngjashmëritë nuk janë rastësi.

“Mendoj se kemi qenë duke shikuar përreth botës dhe i kemi kuptuar problemet me të cilat ballafaqohemi ne si amerikanë. Janë po ato probleme me të cilat përballet tërë globi”, ka theksuar ai.

Martin-Green bëri të ditur se sezoni i ri i "Discovery", ngjashëm si i dyti, fillon në një vend të errët. Por ajo premtoi se do të ketë dritë në vazhdim për personazhet dhe beson se do të jetë e qëndrueshme, përderisa “nuk harrojnë kurrë se e kanë luftuar errësirën”.

“Kjo është shumë e rëndësishme për mua, sidomos tani”, ka shpjeguar ajo. “Për shkak se të jesh afro-amerikan në SHBA dhe të jesh grua afro-amerikane si drejtuese e serialit në mes të një shqetësimi civil të vazhdueshëm në rrugë dhe lëvizjes ‘Black Lives Matter’, do të thotë shumë për shkak se kjo është një luftë. Dhe ashtu siç ishte duke thënë Alexi, ky serial është pasqyrë, gjithmonë ka qenë pasqyrë. Por për mua, është pasqyrë që premton, pasi e sheh veten dhe e sheh veten gjithashtu në potencialin më të lartë dhe e sheh botën si vend ku ndryshimi sistematik, që është i nevojshëm për të vazhduar, është bërë. Është bërë dhe tashmë nuk është pjesë e bisedave. Kështu që, jo vetëm që kemi një shfaqje të shkurtër të zgjidhjes, por edhe të luftërave”.

Sezoni i tretë i "Star Trek: Discovery" është dhënë premierë të enjten në “CBS All Access”. Pas premierës, episodet e reja të sezonit më të fundit 13-episodësh do të publikohen çdo javë, gjatë të enjteve.