Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Sonic ua uron të gjithëve Vitin e Ri në fragmentin e ri

Filmi “Sonic the Hedgehog” sigurisht që e pati një vit të ngjeshur: pasi u publikua fragmenti i parë për filmin, fansat menjëherë u ankuan për portretizimin e dobët të vetë Sonicut. Nga Paramount Pictures vendosën t’i dëgjojnë fansat dhe ta bëjnë ridizajnimin e personazhit, gjë që rezultoi me shtyrjen e datës së publikimit.

Fatmirësisht, me dizajnin e ri ata ia qëlluan se si duhet të duket personazhi, kështu që tani fansat janë të kënaqur, ndërsa producentët janë të gatshëm për publikimin e filmit, shkruan KOHA Ditore. Por, para se të mbërrijë në kinema, ata vendosën të na dhurojnë pamje të reja me urimin e Sonicut për Vitin e ri.

Në fragmentin, i cili u publikua në ditën e parë të vitit të ri, Sonic vrapon në të gjithë botën për ta pritur Vitin e Ri në të gjitha zonat kohore dhe dërgon përshëndetje nga qytete të ndryshme të botës. Pas kësaj pason fragmenti i fundit i filmit.

Filmi është bazuar në franshizën e famshme botërore të videolojërave të Sega, ndërsa e sjell tregimin e iriqit të kaltër më të shpejtë në botë, i cili shtëpinë e tij të re e gjen në Tokë. Në film, Sonic dhe shoku i tij i ri më i mirë Tom (James Marsden) i bashkojnë forcat për ta mbrojtur Sonicun, por edhe tërë botën, nga gjeniu i lig dr. Robotnik (Jim Carrey), i cili e dëshiron dominimin botëror. Ben Schwartz ia huazon zërin Sonicut.

Filmi “Sonic the Hedgehog” mbërrin në kinema më 14 shkurt.