Ylli i kinematografisë, Will Smith, i është përgjigjur të gjithë atyre që nuk ndihen të gatshëm për t’i shikuar filmat e tij të ri, pas incidentit në ceremoninë e fundit “Oscar” me ç’rast e qëlloi me shuplakë në fytyrë komedianin, Chris Rock.
Smith thotë se e kupton nëse njerëzit nuk janë të gatshëm ta përkrahin filmin e tij të ardhshëm, Emancipation”, për shkak të veprimit të tij të turpshëm.
Duke folur me gazetarin Kevin McCarthy, aktori i njohur Hollywoodian deklaroi: “Unë e kuptoj plotësisht. Nëse dikush nuk është gati ta mbështesë filmin tim të ri, unë e respektoj absolutisht këtë dhe ua jap hapësirën që ju nevojitet deri sa të ndryshojnë mendim. Shqetësimi im më i madh është për pjesën tjetër të ekipit. Mendoj se me këtë projekt, regjisori e ka bërë punën më të madhe dhe më të bukur të gjithë karrierës së tij. Kolegët e mi në film po ashtu kanë bërë punë të mrekullueshme, prandaj shpresoj që veprimet e mia të mos e penalizojnë ekipin. Këtu jam fokusuar tani. Po shpresoj që vet materiali, fuqia e filmit dhe historia e tij, do të mund t’i bëjnë ballë pasojave që vijnë pas veprimit tim të pahijshëm. Shpresoj që e mira do të mund t’i hap zemrat e njerëzve që të paktën të mund t’i shohin, pranojnë dhe mbështesin artistët e jashtëzakonshëm që kanë qenë pjesë e këtij filmi”.
Me regji të Antoine Fuqua, filmi “Emancipation” e sjell Smithin në rolin e një burri të skllavëruar të quajtur Peter, i cili arratiset nga një plantacion në Luiziana. Ky është roli i parë filmik i aktorit nga skandali i muajit mars, kur shakanë e Chris Rockut për gruan e tij, Jada Pinkett Smith, vendosi ta kundërshtojë përmes dhunës.

Po atë mbrëmje, Will Smith e fitoi çmimin e parë “Oscar” në kategorinë “Aktori më i mirë”, për performancën e shkëlqyer në filmin biografik “King Richard”. Pasi i bëri disa falje publike rreth reagimit të tij skandaloz në ceremoni, aktori vendosi të heq dorë nga anëtarësimi në Akademinë e Arteve dhe Shkencave. Ai po ashtu nuk ka të drejtë të marrë pjesë në këtë ngjarje prestigjioze të kinematografisë, për 10 vjetët e ardhshëm.
Filmi “Emancipation” do të lansohet në plaftormën digjitale “Apple TV+”, më 9 dhjetor të këtij viti.