Mark Hollis, frontmeni i rok bendit të popullarizuar britanik “Talk Talk”, ka vdekur në moshën 65-vjeçare, raportojnë mediat botërore. “Talk Talk” u themelua në vitin 1981, ndërsa gjatë 10 vjetëve sa ishin aktivë e arritën famën botërore me single të shumta si 'It's My Life', 'Such a Shame', 'Today', 'Talk Talk'...
Ata u bënë të famshëm me tingullin synth-pop, jashtëzakonisht të popullarizuar në vitet 1980, ndërsa më vonë filluan të eksperimentonin edhe me aranzhmane të tjera të rokut, dhe pikërisht Mark Hollis u konsiderua si një nga pionierët e të gjithë zhanrit post-rock. “Talk Talk” u nda në fillim të viteve 1990, ndërsa Hollis iu kthye solo karierës dhe e publikoi solo albumin debutues në vitin 1998. Rezultoi që ky do të ishte albumi i tij i fundit, duke qenë se ai shpejt u tërhoq nga muzika dhe iu kthye familjes, shkruan KOHA Ditore.
Këngëtarin e kujtoi edhe ish-anëtari i bendit “Talk Talk”, basisti Paul Webb (57), ndërsa shkaku i saktë i vdekjes së Hollis nuk dihet ende.