Disa prej këngëve të R.Kellyt po u rritet edhe më shumë popullariteti, që kur këngëtari amerikan është shpallur fajtor në akuzat për trafikim seksual.
Albumi i këngëtarit i cili ka marrë shumë vëmendje javëve të fundit për shkak të rastit të tij gjyqësor, ka shënuar rritje të shitjes për 517%, që kur një gjykatë në New York e ka shpallur atë fajtor më 27 shtator, raporton Rolling Stone.
Kelly është shpallur fajtor për shfrytëzim seksual, ryshfet, mashtrim dhe trafikimit seksual. Vendimi për masën e shqiptimit të dënimit pritet të jepet më 4 maj të vitit 2022, ndërkohë që parashihet se ai mund të kalojë pjesën e mbetur të jetës prapa grilave.
Shumë njerëz kanë parashikuar se krimet për të cilat Kelly u dënua, mund të shkaktojnë rënie të popullaritetit të hiteve të tij, mirëpo ka ndodhur e kundërta.
Përveç rritjes së shitjes së albumit të tij, edhe shpërndarjet e këngëve të këngëtarit të muzikës R&B kanë shënuar rritje.
Që nga 27 shtatori e deri më 3 tetor të këtij viti, java në të cilën gjykata vendosi për shpalljen e tij fajtor, këngët e tij audio janë shpërndarë për 22%, ndërkaq videot për 23% më shumë, krahasuar me para këtyre shtatë ditëve.
Sipas Rolling Stone, në vitin 2017 R.Kelly kishte mesatarisht rreth 5,4 milionë shpërndarje të këngëve audio brenda javës, ndërkaq këtë vit ka pasur mesatarisht rreth 6,4 milionë.
Këngët e tij janë ende të qasshme në shumicën e kanaleve muzikore, duke përfshirë këtu Spotify dhe Apple Music. Ndërkaq, në fillim të kësaj jave, Google ka mbyllur dy llogaritë zyrtare të R.Kellyt, e njëjtë ka vepruar edhe YouTube, e cila ka mbyllur kanalin zyrtar, por nuk i ka larguar edhe këngët e tij nga platforma.
