Showbiz

Shia LaBeouf dhe Mia Goth në pritje të fëmijës së parë së bashku

Foto: AP/Associated Press

Ylli i njohur hollywoodian, Shia LaBeouf dhe aktorja britanike, Mia Goth, janë në pritje të fëmijës së parë.

Çifti i cili është ndarë dhe ribashkuar disa herë, u fotografua të shtunën në një restorant dhe në fotografitë e siguruara nga uebfaqja për të famshëm TMZ.com, aktorja dhe modelja 27-vjeçare shihet me barkun e fryrë që nënkupton se mund të jetë në tremujorin e dytë të shtatzënisë.

Dyshja e njohur e showbizit dukeshin të lumtur teksa drekonin në shoqërinë e njëri-tjetrit, ani pse ndër vite e kanë pasur një lidhje jo stabile dhe të trazuar.

Shia dhe Mia ishin martuar në Las Vegas në vitin 2016, por që të dy bënë kërkesë për shkurorëzim dy vjet më vonë.

Sidoqoftë, në fund të vitit të kaluar, ata vendosën të ribashkohen dhe së fundmi janë parë në publik duke mbajtur unaza të martesës në gisht, prandaj është e paqartë për publikun nëse çifti e ka finalizuar ndonjëherë shkurorëzimin apo ndoshta janë rimartuar.

Deri më tani, zëdhënësit e aktorit 35-vjeçar nuk kanë pranuar të komentojnë rreth lajmit të shtatzënisë.

Ndërkohë, LaBeouf po përballet me akuza nga ish e dashura e tij, këngëtarja britanike FKA Twigs, e cila ka ngritur padi kundër aktorit për abuzim fizik dhe emocional gjatë lidhjes së tyre një vjeçare. Padia e ngritur në gjykatën e lartë të Los Angelesit, kërkon dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga ylli i filmit “Nymphomaniac”, i cili besohet se e ka sulmuar atë seksualisht dhe i ka shkaktuar shqetësim emocional. LaBeouf akuzohet se e ka nënçmuar vazhdimisht të dashurën e tij atëkohë, duke iu drejtuar me fjalë ofenduese madje në një rast thuhet se aktori e ka përplasur këngëtaren për veture dhe ka provuar ta ngufatë atë. FKA Twigs po ashtu deklaron se aktori disa herë, me vetëdije të plotë, i ka bartur sëmundje seksuale.

Aktori i është përgjigjur këtyre akuzave duke e pranuar se për vite të tëra kishte qenë abuziv ndaj vetes dhe të tjerëve. Shia përmes një deklarate të postuar në “New York Times”, citohet të ketë thënë: “Nuk jam në gjendje t’i tregoj dikujt se si e ka bërë të ndihet sjellja ime. Nuk kam justifikime për agresivitetin që e kam shfaqur nën ndikim të alkoolit, por thjeshtë shpjegim të arsyeshëm. Unë kam qenë abuziv ndaj vetes dhe personave që më kanë rrethuar për vjet të tëra. Madje disa herë i kam bërë keq më së shumti njerëzve të mi të afërt. Më vjen turp nga e kaluara ime dhe i kërkojë falje të gjithë atyre që i kam lënduar. Nuk kam çfarë të them tjetër për këtë gjë”.

Sidoqoftë, ylli i filmave “Transformers” insiston që shumica e akuzave ndaj tij nuk janë të vërteta.

FKA Twigs ishte takuar me LaBeoufin gjatë xhirimeve të filmit gjysmëbiografik të vitit 2019, “Honey Boy”, i cili i ekranizoi vitet e hershme dhe problematike të aktorit. Edhe këngëtarja tjetër, Sia, i ka dalë në krah asaj dukë thënë se Shia LaBeouf është një gënjeshtar patologjik, i cili e ka mashtruar atë duke i thënë se është beqar dhe kështu e ka bërë këngëtaren pjesë të tradhtisë së tij.

Përmes një postimi në Twitter, Sia kishte deklaruar: “Edhe unë jam lënduar emocionalisht nga Shia, një gënjeshtar patologjik i cili më mashtroi të hyjë në një lidhje dashurie me të duke deklaruar se është beqar. Unë besoj se ai është një burrë shumë i sëmurë dhe më dhimbset ai dhe gjithë viktimat e mashtrimeve të tij. Prandaj, nëse e doni veten, jini të sigurt dhe qëndroni sa më larg tij”.

LaBeouf ishte protagonist i videoklipit të këngëtares australiane “Elastic Heart” i publikuar në vitin 2015, gjatë së cilës kohë aktori ishte në lidhje dashurie me Mia Gothin.

Shia LaBeouf u bë i famshëm si aktor i filmit “Even Stevens”, në kanalin për fëmijë dhe të rinj “Disney”, dhe më vonë luajti në projekte të mëdha hollywoodiane si, “Transformers” dhe “Indiana Jones and the Kingdom of the Crystal Skull”.

Në dekadën e fundit aktori ka hasur në disa probleme me ligjin për sjellje të çrregullt, ngasje të veturës në gjendje të dehur dhe probleme me zemërimin. LaBeouf ishte trajtuar për varësinë nga alkooli në vitin 2014 dhe 2017.

{gallery}