Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Shawn Mendes dhe Justin Bieber, bashkëpunojnë për herë të parë

Yjet e muzikës, Justin Bieber dhe Shawn Mendes, e kanë pushtuar rrjetin social Twitter gjatë ditës së hënë, me ta publikuar një video të shkurtër e cila e paralajmëron bashkëpunimin e tyre.

Kënga e cila do të lansohet të premten më 20 nëntor, mban titullin “Monster” si dhe e shënon bashkëpunimin e parë të dyshes së famshme të muzikës pop.

Dy këngëtarët e njohur kanadez të cilët adhurohen anembanë botës, sidomos nga vajzat e reja, e postuan nga një mesazh në llogaritë e tyre në Twitter duke e paralajmëruar këtë këngë, e cila do të jetë pjesë e albumit të ardhshëm të Mendesit, me titull “Wonder”.

Ndërkaq, në një letër përmes së cilës e paralajmëroi albumin e ri, Mendes kishte shkruar: “Me të vërtetë më duket si një pjesë e imja është shkruar në letër, dhe më pas është incizuar në këngë. Kam provuar të jem sa më real dhe i sinqertë, si kurrë më parë. Kjo është një botë, një rrugëtim jetësor, një ëndërr dhe një album të cilinn kam pritur ta realizoj për një kohë të gjatë”.

Mendes në muajin shkurt e kishte konfirmuar lajmin se po punon në incizimin e ri, që vjen pas albumit të vetëtitulluar të vitit 2018.

Projekti i fundit i lansuar nga Justin Bieber është “Lonely”, një këngë prekëse që përcjell emocion të fuqishëm tek publiku, dhe të cilën këngëtari e ka bashkëshkruar me artistët, Benny Blanco dhe Finneas O’Connell. Kënga e përshkruan jetën e këngëtarit kanadez dhe sfidat që ia ka sjellë fama, ndërsa Bieberin në videoklip e portretizon aktori, Jacob Tremblay.