Aktorja e njohur, Sharon Stone, ka deklaruar se ishte kërcënuar me humbje të vendit të punës, pasi që kishte kërkuar që ekipi në sheshxhirim të vaksinohej, dhe e kishte humbur madje edhe sigurimin shëndetësor gjatë pandemisë për një faturë të papaguar me vlerë të 13 dollarëve.
Ylli 63-vjeçar i filmit, që ishte nominuar për “Oscar”, ka folur për këtë gjë dhe shumë gjëra të tjera, pasi që e shpalli kandidaturën e saj për Bordin Kombëtar dhe Delegatin Kombëtar të SAG-AFTRA në listën e “Membership First”.
“E kam humbur sigurimin pas 43 vjetësh në këtë punë, për shkak të COVID-it. U kisha mbetur borxh 13 dollarë dhe nuk mendoj se kjo është e arsyeshme për secilin prej nesh, kur kalojmë nëpër një pandemi, për të humbur dekada të sigurimit tonë ose për të humbur të gjitha gjërat që na duhen, kur po përpiqemi të kemi bukë në sofër, po përpiqemi t’i mbajmë shtëpitë tona dhe po përpiqemi t’i ushqejmë fëmijët tanë”.
Stonet i është ofruar një “punë e mirë” që ajo me të vërtetë do ta bëjë në Atlanta, por “Producers Guild of America” nuk do të garantojë që të gjithë në sheshxhirim do të jenë të vaksinuar.
“A do të shkoj në punë para se të gjithë kolegët e mi të vaksinohen? Jo. Jo, nuk do të shkoj. A po kërcënohem se mund ta humb punën? Po. Po, po kërcënohem”, ka konfirmuar autorja e “The Beauty of Living Twice”. “A do ta humbas punën nëse të gjithë kolegët nuk vaksinohen? Po. Po, mundem. A do të flas për të gjithë ne, në mënyrë që në çdo sheshxhirim që shkojmë të jenë të vaksinuar? Po. Po, do ta bëj. Pse? Sepse kjo është qesharake - që duhet të shkojmë të punojmë diku ku nuk jemi të sigurt për të punuar”, ka shtuar ajo.
Ndërkaq ka vazhduar: “Nuk do të punoj derisa tërë ekipi të vaksinohet. Dhe as ju nuk duhet të punoni. Sepse unë po kandidoj për ne. Pse? Sepse ne jemi ju. Më vjen shumë keq që këto janë kushtet tona të punës, por kjo është “Screen Actors Guild” që kemi sot. Faleminderit”.
Stone ka thënë se ishte e kualifikuar, sepse ishte “viktimë e ngacmimit seksual dhe diskriminimit” dhe “kishte pasur sëmundje të rëndë”. Sharon gjithashtu ka treguar se do të luftonte për njerëzit me kontrata që përpiqeshin të merrnin “ngjashmëritë dhe imazhet” e aktorëve në përjetësi.