Aktorët Kerry Washington, Da’Vine Joy Randolph dhe Omar Sy, parakaluan mbi qilimin e kuq të shtruar për premierën e filmit të tyre të ri, “Shadow Force”, në qytetin e New Yorkut. Regjinë e këtij projekti e ka bërë Joe Carnahan, ndërsa Washington dhe ylli francez, Sy, shërbejnë edhe në rolin e producentëve të filmit.
“Jam vërtet krenare për këtë film sepse është një film i madh, emocionues, plot aksion dhe aventurë, por në thelb bëhet fjalë për dashurinë dhe për sa larg jemi të gatshëm të shkojmë për të mbrojtur gjërat që kanë më shumë rëndësi, kryesisht familjen. Dhe më pëlqen fakti që filmi tregon dy njerëz me ngjyrë që janë pjesë e një njësie elite spiune, dhe meqë Omari është francez, shohim se dashuria e tyre është në gjendje të kapërcejë kufijtë, gjuhët dhe kulturat për të qenë bashkë, për të mbrojtur djalin e tyre. Mendoj se është një film shumë i veçantë dhe jam e nderuar që jam pjesë e tij”, tha Washington.
Washington dhe Sy luajnë rolet e ish-udhëheqësve të “Shadow Force”, një njësi e fshehtë e forcave speciale shumëkombëshe. Pasi thyen protokollin duke rënë në dashuri, ata arratisen dhe detyrohen të jetojnë në fshehtësi për të mbrojtur djalin e tyre. Por me një shpërblim të madh mbi kokat e tyre dhe me ish-skuadrën që i ndjek pa pushim, misioni i çiftit bëhet i qartë: të mbrojnë familjen me çdo kusht.
Ky është një koncept tek i cili e gjen veten çdo person.
“Të mendosh për të gjithë filmat aksion që mund të shikosh si aktor dhe skenarët që mund të lexosh... Por kur i ke të dyja në qendër të historisë së një filmi, dashurinë dhe familjen, ndërkohë që është edhe film aksion, kjo është diçka e rrallë. Nuk kam pasur kurrë të njëjtën eksperiencë, që t’i kem të dyja në të njëjtin projekt. Ishte një mundësi kaq unike saqë doja patjetër të bëhesha pjesë e filmit”, deklaroi Sy.
Aktorja e shpërblyer me “Oscar”, Da’Vine Joy Randolph, foli për atë se si kasta dhe ekipi i filmit e kanë lartësuar njëri-tjetrin gjatë xhirimeve.
“Unë mendoj se e mira e gjithë kësaj përvoje është se, kur e bën një punë vërtet të mirë, në njëfarë mënyre çështja e racës nuk ka rëndësi. Do të thotë, të bësh një punë të shkëlqyer, po, është e rëndësishme, por ajo që është e mrekullueshme është se thjesht po bëjmë punën tonë dhe mendoj se kur ndodhesh në një situatë ku je i mbështetur nga kolegët e tu, kjo ndihmon edhe më shumë dhe të bën të ndihesh e aftë të shkosh edhe më larg me performancën tënde. Por po, është me të vërtetë e rëndësishme dhe jam shumë e emocionuar që ata ishin mjaftueshëm të guximshëm për ta bërë këtë”, tha Randolph.
“Shadow Force” u lansua nëpër kinema të premten.