Pothuajse katër vjet pasi luajti në serialin e platformës Amazon, “Homecoming”, Julia Roberts rikthehet me një tjetër projekt televiziv.
Aktorja e famshme hollywoodiane luan përkrah një tjetër mega-ylli të kinematografisë, Sean Penn, në serialin e ri të titulluar “Gaslit”. Ata parakaluan së bashku mbi qilimin e kuq të shtruar me rastin e premierës botërore të projektit në New York.
“Mendoj se për shumicën prej nesh që ishim pjesë e projektit, ajo që na tërhoqi ta pranonim rolin ishte ideja se mund ta rrëfenim një tregim që është pjesë e madhe e historisë së Amerikës, dhe njëkohësisht t’ua tregonim njerëzve disa gjëra të cilat nuk i kanë ditur më parë. Në njëfarë mënyre, po i hulumtonim disa nga hollësitë dhe personazhet më pak të njohura nga publiku, që ishin pjesë e këtij skandali dhe po i bëjmë ata protagonistë të gjithë asaj që ka ndodhur”.
Seriali i ardhshëm fokusohet në historitë e parrëfyera dhe personazhet e harruara që ishin pjesë e skandalit politik “Watergate” në Amerikë, raporton agjencia e lajmeve “AP”.
Me titull “Gaslit”, ky projekt përqendrohet në personazhin e Martha Mitchellit, e portretizuar nga Roberts. Ajo është një grua me karakter të fuqishëm dhe shumë llafazane. Martha është personalitet i famshëm në shoqërinë e Arkansasit dhe gruaja e prokurorit të përgjithshëm John Mitchell, rol ky i cili portretizohet nga aktori Penn. Pavarësisht përkatësisë së saj partiake, ajo është personi i parë që e dha publikisht alarmin për përfshirjen e presidentit Richard Nixon në skandalin “Watergate”, veprim ky i cili bëri që presidenca dhe jeta e saj personale të shpërbëhen.
Edhe
Meghan Markle drejt një roli të ri në Netflix
Në serial po ashtu luajnë aktorët, Dan Stevens, Betty Gilpin, Patton Oswalt, Shea Whigham dhe Darby Camp.
“Gaslit” fillon së transmetuari në kanalin “Starz” nga 24 prilli.