Ylli i muzikës Hip-Hop, Sean “Diddy” Combs, do të nderohet me çmimin prestigjioz “Ikonë Globale” si dhe do të performojë në edicionin e sivjetmë të ceremonisë “MTV Video Music Awards”, e cila mbahet në mbrëmjen e 12 shtatorit dhe transmetohet live nga qendra “Prudential” në Neë Jersey.
Diddy është personi i tretë që e pranon trofeun “Ikonë Globale” pas grupeve muzikore, “Foo Fighters” dhe “Red Hot Chili Peppers”.
Ndërkaq, kjo do të jetë performanca e parë e Combsit në këtë ceremoni, nga viti 2005 kur shërbeu si prezantues dhe performues. Atëkohë ai e udhëhoqi orkestrën në skenë me një super-performancë, i shoqëruar edhe nga Snoop Dogg.
Në vitin 1997, Combs e kishte hapur ceremoninë në fjalë me një dedikim përkujtimorë për ikonën, The Notorious B.I.G, i cili ishte qëlluar për vdekje me armë zjarri vetëm gjashtë muaj më herët. Combs e interpretoi hitin e reperit të ndjerë, “Mo Money Mo Problems”, dhe më pas u shoqërua në skenë nga këngëtarja Faith Evans, për ta performuar këngën e tyre shumë të pëlqyer nga publiku, “I’ll Be Missing You”. Sean u rikthye në skenën e “MTV VMA” në vitin 2002 për ta performuar një kolazh të këngëve, “Bad Boy for Life”, “Pass the Courvoisier” dhe and “I Need a Girl”. Në skenë shoqërohej edhe nga yjet e muzikës, Usher, Busta Rhymes dhe Pharrell.
Këtë vit, Diddy është nominuar në katër kategori garuese për çmim “MTV”, përfshirë këtu kategorinë “Bashkëpunimi më i mirë” për këngët, “Gotta Move On” dhe “Creepin”. “Gotta Move On” po ashtu garon për çmimin “Kënga më e mirë rep”, kurse “Creepin” për “Kënga më e mirë R&B”.
Në vitin 1997, Diddy e fitoi një trofe për “Videoklipin më të mirë R&B”, me videoprojektin “I’ll Be Missing You”. Një vit më vonë ai u nderua me shpërblimin “Zgjedhja e publikut”.
Performanca e Diddyt në ceremoninë prestigjioze të muzikës vjen vetëm tri ditë pasi ta lansojë albumin e ri “The Love Album: Off the Grid”. Ky projekt e shënon lansimin e parë për reperin dhe producentin amerikan nga viti 2010.
Combs gjatë karrierës së tij ka shënuar suksese të mëdha në industrinë e muzikës. I ka dy albume të pozicionuara në vendin e parë të toplistës së 200 albumeve më të mira “Billboard”, “No Way Out” i lansuar më 1997 dhe “Press Play” më 2006. Pesë këngë të tij kanë arritur të renditen në maje të toplistës së 100 këngëve më të mira në Amerikë, e ato janë, “Can’t Nobody Hold Me Down”, “I’ll Be Missing You, “Mo Money Mo Problems”, “Bump, Bump, Bump” dhe “Shake Ya Tailfeather”.
Diddy nuk është reperi i vetëm që do të performojë në ceremoninë “MTV VMA” këtë vit. Lil Wayne është gjithashtu pjesë e shout. Ka pasur spekulime që me një performancë të veçantë do të shënohet 50-vjetori i themelimit të zhanrit hip-hop, por ende nuk ka diçka të konfirmuar nga organizatorët.
Disa prej artistëve që tashmë janë zbuluar se do të performojnë në ceremoni janë, Doja Cat, Anitta, Demi Lovato, Karol G, Kelsea Ballerini, dhe grupet, “Måneskin”, “Stray Kids” dhe “TOMORROW X TOGETHER”.
Sivjet, Shakira e pranon çmimin special “Video Vanguard Award” dhe do të performojë live në shou për herë të parë nga viti 2006. Ende nuk dihet kush do të jetë në rolin e prezantuesit të mbrëmjes. Vitin e kaluar këtë detyrë e patën yjet, LL Cool J, Nicki Minaj dhe Jack Harlo.
Taylor Swift udhëheq me më së shumti nominime, 11 sosh. Pas saj vijnë artistët, SZA me tetë nominime, “BLACKPINK”, Doja Cat, Miley Cyrus, Nicki Minaj dhe Olivia Rodrigo me nga gjashtë, Kim Petras dhe Sam Smith me pesë nominime dhe Beyoncé, Diddy, Drake, Ice Spice, Karol G, Metro Boomin, Shakira me pesë nominime secili. Për çmim “MTV VMA” këtë vit garon edhe këngëtarja me prejardhje kosovare e famë botërore, Dua Lipa, në gjithsej dy kategori.
Përgatiti: Edona Binaku