Ikona britanike e popit, Robbie Williams, thotë se e ka “kompletuar muzikën” dhe është gati për një kapitull të ri në jetën e tij krijuese: hapjen e një “universiteti kreativ” për të edukuar artistët e rinj me njohuri praktike që shkojnë përtej skenës.
Në një intervistë për The Sunday Times, 51-vjeçari u shpreh se dëshiron t’u mësojë studentëve gjithçka që ai do të donte të kishte ditur kur nënshkroi për herë të parë kontratën me grupin “Take That” në moshën 16-vjeçare.
Kjo iniciativë është një vazhdimësi e angazhimit të tij në fushën e edukimit artistik. Në vitin 2019, Williams u bë bashkëpronar i LMA (Liverpool Media Academy), një qendër universitare që ofron kurse në muzikë, media kreative dhe arte performuese. Ai ka ndihmuar në zgjerimin e kësaj qendre, duke përfshirë hapjen e një kampusi të ri në Londër në vitin 2020.

“Dua që ata të mësojnë gjithçka që unë duhej të kisha ditur që në fillim. Muzikën e kam kompletuar. E dua ende, do të shkruaj këngë, por tani dua t'i mësojë të rinjtë si të bëhen menaxherë, agjentë, si të kujdesen për paraqitjen e tyre, si të sillen në publik, si të flasin me njerëzit, si të sillen në një dhomë”, ka thënë Williams.
Pavarësisht suksesit, këngëtari pranon se shpesh nuk ndihet rehat në shoqëri, madje edhe me miqtë më të ngushtë.

“Ka një nivel përqendrimi që më bën të ndihem i tensionuar në çdo vend tjetër përveçse me gruan, fëmijët apo miqtë e mi shumë, shumë të ngushtë. Dhe ndonjëherë edhe me ta nuk ndihem rehat, në varësi të gjendjes sime”, ka thënë ylli.
Williams sapo ka hapur ekspozitën e tij më të re artistike të titulluar “Radical Honesty”, dhe nuk fsheh synimin për ta komercializuar atë.

“Ende nuk i kemi shitur, por do t’i shesim. Pikturat e mëdha nuk do të jenë të përballueshme, ato do të jenë të qasshme vetëm për njerëzit e pasur”, ka deklaruar ai me sinqeritet.
Punimet i krijon në iPad për vetëm 25 minuta, pa ndonjë trajnim artistik formal.
“Nuk kam as kohë e as dëshirë për shkollë. Kam shumë ide… e krijoj tekstin, e bëj sfondin në 20-25 minuta dhe kaloj te ideja tjetër”, ka thënë ai.