Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Rina Lipa nis t’i bëjë konkurrencë për famë motrës

Në një intervistë për një revistë britanike të modës, Rina Lipa, ka nisur të marrë hapat e parë të famës dhe t’i bëjë konkurrencë motrës, këngëtares me famë botërore, Dua Lipa.

Duke folur për revistën britanike “Tatler”, e cila numrin e parë e ka që nga viti 1901, vajza e vogël e familjes Lipa është fokusuar në jetën e kësaj familje dhe famën e motrës.

Rina Lipa ka thënë se e ka përjetuar shumë rëndë periudhën kur motra e saj më e madhe, Dua Lipa, e la shtëpinë për të ndjekur karrierën e saj, por ka thënë se e ka vlerësuar gjithmonë për lëvizjen e saj.

Krijuesja e hitit “Levitating”, që u lind në Londër, kaloi fëmijërinë në Kosovë, para se të kthehej në Britani të Madhe në moshën 15-vjeçare me shpresën për t’u bërë pop-yll.

“Ishte e re, por ishte e pjekur dhe e gatshme. Prindërit nuk e lejuan lehtë të largohej – gjithçka u bë në mënyrë të kontrolluar. U kthye disa herë dhe jetoi me një shoqe të familjes. Por ishte e vështirë. Më merrte malli shumë. Punonte shumë, tepër shumë. E admiroja për këtë dhe e admiroj edhe sot”, ka thënë ajo.

Këngëtarja 26-vjeçare më pas vazhdoi me karrierë të suksesshme, duke nisur gjithçka si modele e më pas duke lansuar albumet ndër më të suksesshmet në botë – atë të titulluar në bazë të emrit të saj më 2017 dhe “Future Nostalgia” më 2020.

Image

Duke kujtuar fëmijërinë në Prishtinë, Rina ka thënë se periudha më e pëlqyer e së kaluarës kishte të bënte me veshjet e Duas.

Edhe “KOHA Ditore”, 2015. Dua Lipa: Ende jam vetëm në hapat e parë Shtojca për Kulturë “KOHA Ditore”, 2015. Dua Lipa: Ende jam vetëm në hapat e parë

“E adhuroja. Kur doja të vishesha si ajo, ia vidhja rrobat. Kur i vishja, ndihesha më e madhe. Ende është kështu. Shpesh shikoj në dollapin e saj dhe i them ‘nuk e ke veshur qe një kohë të gjatë këtë’. Ajo nxehet dhe menjëherë më thotë ‘kthema’”, ka treguar Rina.

Rina, që është aktore në rritje dhe yll i ri i rrjeteve sociale, ka thënë se familja e saj kënaqet me familjen e së dashurit të Duas, Anwar Hadid. Të dyja familjet i ka quajtur “kreative” dhe shumë të dashura.

Intervista e plotë e Rina Lipës është publikuar në numrin e janarit të revistës “Tatler”. Aty 20-vjeçarja prezantohet si sensacion i Instagramit e yll në rritje i aktrimit.