Showbiz

Rihanna performuesja e “Super Bowl 2023”

Ylli i muzikës, Rihanna, do të performojë në finalen e kampionatit të futbollit amerikane, “Super Bowl”, vitin e ardhshëm, raportoi të hënën agjencia e lajmeve “AP”.

Këngëtarja e cila kishte refuzuar të performojë në këtë ngjarje në vitin 2019, si shenjë solidariteti me lojtarin e NFL-it, Colin Kaepernick, siç duket më në fund është bindur të bëhet pjesë e listës së këngëtarëve yje që kanë interpretuar në “Super Bowl”, duke i gëzuar jashtë mase adhuruesit anembanë botës të cilët kishin kohë që po prisnin ta shihnin idhullin e tyre në atë skenë.

Lajmi u bë i ditur nga NFL të dielën, së bashku me kompaninë e reperit Jay-Z, “Roc Nation” dhe platforma “Apple Music”. Edhe Rihanna e ndau lajmin e mirë me ndjekësit e saj në Instagram.

“Rihanna është një talent brezash, një grua me fillime modeste që i ka tejkaluar pritjet në çdo hap. Një person që u lind në ishullin e vogël të Barbadosit, dhe arriti të bëhet një prej artisteve më të suksesshme në botë. E vetndërtuar në biznes dhe në botën e showbizit”, shkruhej në një deklaratë të lëshuar nga Jay-Z, kompania e së cilit, “Roc Nation”, e prodhon shoun gjysmë orësh.

Ngjarja më e ndjekur në Amerikë, “Super Bowl “, zë vend më 12 shkurt të vitit të ardhshëm në stadiumin “State Farm” në Glendale të Arizonas. Derisa performanca e yjeve të muzikës, në të kaluarën ishte sponsorizuar nga kompania “Pepsi”, në edicionin e ardhshëm ky rol i kalon platformës “Apple Music”.

Me shitjen e më shumë se 250 milionë albumeve anembanë globit, Rihanna shquhet si një prej artisteve më fitimprurëse në historinë e muzikës. Albumi i saj i fundit, “Anti”, u publikua në vitin 2016.