Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Rihanna huazon zërin për personazhin e animuar Smurfette

Ylli i muzikës pop, Rihanna, e ka konfirmuar lajmin se do ta huazojë zërin për personazhin e animuar, Smurfette, në filmin e ardhshëm që do të realizohet nga studioja “Paramount Pictures”.

“Paramount” dhe Rihanna e zbuluan këtë informatë në ngjarjen e përvitshme “CinemaCon”, ku këngëtarja e bëri një paraqitje befasuese. Ndër të tjera ajo tregoi se përveç huazimit të zërit, ajo gjithashtu do ta shkruaj dhe incizoj muzikën e filmit. Riri shërben edhe si producente e projektit, që pritet të lansohet nëpër kinema në vitin 2025.

Image

Informacionet shtesë rreth kastës së aktorëve apo temës që e trajton filmi, mbesin të panjohura për publikun e gjerë. Mirëpo, është bërë e ditur se në rolin e regjisorit vjen, Chris Miller, i njohur për filmat e animuar “Shrek” dhe “Puss In Boots”.

Ky projekt e shënon rikthimin e Rihannas si aktore në ekran të madh, pas filmave “Guava Island”, i publikuar në vitin 2019 dhe ku ajo luajti krahas artistit Donald Glover, dhe “Ocean’s 8” i publikuar në vitin 2018 dhe që e përfshinte një kastë të aktoreve yje si, Sandra Bullock, Cate Blanchett, Anne Hathaway, Sarah Paulson, Helena Bonham Carter, Awkwafina dhe Mindi Kaling. Ylli i hitit “Diamonds” po ashtu ka luajtur në filmat, “Battleship”, “This Is The End”, “Home” dhe “Valerian and the City of a Thousand Plants”.

Këngëtarja së fundmi shënoi suksese të jashtëzakonshme si performuese në ngjarjen më të ndjekur në Amerikë, “Super Bowl”, ku interpretoi në shkurt të këtij viti. Kjo performancë e shënoi rikthimin e saj në skenë dhe arriti t’i tërheqë rreth 118 milionë shikues, duke u bërë shou i dytë më i shikuar e të gjitha kohërave. Aktualisht, performanca e këngëtares Katy Perry e vitit 2015 e mban rekordin për nga shikueshmëria, me gjithsej 121 milionë shikues.