Ricky Martin donte të “përqendrohej te gjërat që i do” pasi u kthye në skenë për herë të parë qëkur nipi i tij hodhi poshtë pretendimet për abuzim kundër tij. I afërmi i këngëtarit 50-vjeçar, Dennis Yadiel Sanchez, 21 vjeç, kishte paraqitur urdhër ndalimi të përkohshëm kundër xhaxhait të tij në fillim të këtij muaji, duke pretenduar se kishin pasur marrëdhënie seksuale dhe pretendonte se ylli ishte bërë abuziv dhe e kishte përndjekur pas akuzave dhe pasi marrëdhënia kishte përfunduar, por ai ka aplikuar që rasti të anulohet të enjten.
Dhe Ricky u rikthye në skenën e Hollywood Bowl në Los Angeles të premten, ku, i mbështetur nga Filharmonia e LA-së, mbajti për fansat një “mbrëmje të bukur” me hitet e tij, përfshirë “Livin' La Vida Loca”, “She Bangs” dhe “La Bomba”.
“Do të jetë një mbrëmje shumë e bukur”, iu drejtua audiencës.
“A jeni gati të kënaqeni? Dua që t’i harroni krejt problemet dhe të fokusoheni vetëm te dashuria dhe gjërat e mira”.
Pasi Sanchezi tërhoqi akuzat e tij, Ricky e ka pranuar se javët e fundit kishin qenë “të zorshme”.
“Sot jam para kamerave, sepse kam shumë nevojë të flas në mënyrë që ta filloj procesin tim të shërimit”, kishe deklaruar më parë.
“Për dy javë nuk më lejuan të mbrohesha, sepse isha duke ndjekur procedurën ku ligji më detyronte të mos flisja derisa të isha para gjykatësit.
“Falë Zotit, këto pretendime u vërtetuan të jenë të rreme. Unë do t’ju them të vërtetën. Ka qenë kaq e dhimbshme, ka qenë shkatërruese për mua, për familjen time, për miqtë e mi. Këtë nuk ia uroj askujt”.
Këngëtari i bëri thirrje të afërmit të tij të ri që të kërkonte ndihmë, teksa ai planifikoi të fokusohej në muzikën e tij për ta marrë veten nga kjo ngjarje.
“Personit që po pretendonte këtë marrëzi, ia uroj më të mirat”, ka shtuar këngëtari.
“Dhe uroj që ai ta gjejë ndihmën që të mund të fillojë një jetë të re të mbushur me dashuri të vërtetë dhe gëzim dhe të mos e lëndojë askënd tjetër. Tani, prioriteti im është të shërohem. Dhe si të shërohem? Me muzikë.
“Mezi pres të kthehem në skenë. Mezi pres të rikthehem përpara kamerave dhe të argëtohem, ta bëj atë që di më së miri.
“Faleminderit të gjithë miqve të mi. Faleminderit të gjithë fansave që besuan gjithmonë tek unë.
“Nuk e keni idenë se sa forcë më jepni me çdo koment që shkruani në rrjetet sociale.
“Zoti ju bekoftë të gjithëve”, është shprehur në fund Ricky Martin.