Showbiz

Richard Gere: Në vitet ’80 ishim rehat pa koordinatorë për xhirimin e skenave intime

Richard Gere

Richard Gere

Foto: Associated Press

Aktori Richard Gere, ka thënë se nuk mendon se gjatë viteve ’80 do të kishte funksionuar ideja për të pasur koordinator për xhirimin e skenave intime nëpër filma.

Në dhjetë vjetët e fundit, roli i koordinatorëve të intimitetit është bërë i domosdoshëm në xhirimet e skenave intime nëpër filma. Nevoja për praninë e tyre u rrit dukshëm pas lëvizjes #MeToo në vitin 2017, e cila tronditi Hollywoodin dhe solli në vëmendje abuzimet dhe mungesën e sigurisë në ambiente pune.

Por disa aktorë me karriera të gjata shprehen ende skeptikë për rolin e këtyre kooordinatorëve, ka raportuar IndieWire.

Në një intervistë për The Wrap lidhur me serialin e ri të kompanisë “Paramount+”, “The Agency”, Gere ka folur së bashku me kolegët e tij Michael Fassbender, Jodie Turner-Smith dhe Jeffrey Wright rreth pranisë së koordinatorëve të skenave intime gjatë xhirimit të filmave.

Fassbender dhe Turner-Smith, të cilët luajnë rolet e një çift në serial, e mbështetën fuqishëm praninë e koordinatorëve të intimitetit në xhirime.

Gazetari i The Wrap, Steve Pond, i kujtoi Geret se kjo mënyrë pune është shumë e ndryshme nga ajo e kohës kur ai luante në filma të guximshëm si “An Officer and a Gentleman” dhe “American Gigolo”.

Richard Gere në skenën e filmit "American Gigolo"

 “Nuk besoj se do të kishte funksionuar atëherë, për të qenë i sinqertë”, ka thënë Gere.

Ai ka sqaruar se në atë kohë nuk kishte përjetuar situata ku regjisorët u thonin aktorëve në mënyrë të thjeshtë: “filloni tani”.

Përkundrazi, në vitet ’80, aktorët flisnin hapur mes tyre për mënyrën si do të zhvillohej një skenë intime. “Në vitet ’80 ishim rehat në këtë formë komunikimi”, ka thënë tutje aktori.

Gere nuk është i vetmi që shpreh rezerva.

Aktori Michael Douglas ka deklaruar se koordinatorët e intimitetit janë një tjetër mënyrë për “t’ua marrë kontrollin regjisorëve”.

Ndërkohë, aktorja Kim Basinger ka thënë se nuk mund ta imagjinojë që të vijë koordinatori e ta pyes rreth skenës intime ndërkohë që është duke xhiruar.

Aktorja Mikey Madison ka krijuar debat kohët e fundit pasi refuzoi të punonte me koordinator intimiteti në filmin “Anora”, i cili përmban disa skena seksuale.

“Unë gjithmonë jam ndierë rehat dhe besoj se edhe personazhi im, Ani, ndihej po ashtu. Nuk e kam menduar asnjëherë të kem ndonjë ndrojtje apo pasiguri”, ka thënë Madison për The New York Times në vjeshtën e kaluar.

Regjisori i filmit, Sean Baker, u shpreh se koordinatorët e intimitetit duhet të jenë në xhirime “me raste”.

Për filmin “Anora”, Baker dhe bashkëshortja e tij, Samantha Quan, demonstruan vetë për aktorët mënyrën si duhej të zhvilloheshin skenat intime para se të niste xhirimi.

Edhe regjisorja Mia Hansen-Love ka sugjeruar se koordinatorët e intimitetit funksionojnë si “policia e moralit”.

Nga ana tjetër, aktorja Michelle Williams i ka cilësuar koordinatorët e intimitetit si “jashtëzakonisht të dobishëm” gjatë xhirimeve.