Pavarësisht se e trajton një temë të errët të bazuar në ngjarje të vërtetë, Eddie Redmayne, thotë se realizimi i filmit “The Good Nurse” ishte një eksperiencë e mahnitshme, falë shoqërisë së tij të kamotshme me kolegen në këtë film, Jessica Chastain.
Drama drithëruese e cila e shtjellon rastin e Charles Cullenit, një infermier i cili i vrau të paktën 29 pacient nëpër spitalet ku kishte punuar, për herë të parë i sjell dy aktorët e njohur hollywoodian së bashku në ekran.
Redmayne dhe Chestain, ishin të pranishëm në premierën e projektit të ri të Netflixit, në kuadër të Festivalit të filmit në Londër.
“Është punë intensive, tema që trajtohet dhe historia e filmit është goxha e thellë. Por, keni të drejtë, unë dhe Jessica jemi miq të vjetër, që të dy kemi shumë gjëra të përbashkëta, kemi fëmijë të vegjël dhe pavarësisht intensitetit të këtij projekti, në fakt ne kemi kaluar shumë mirë gjatë xhirimeve. Dhe thjeshtë, qëndrimi për disa muaj në New York ishte sikur një ëndërr”.
Dy yjet e shpërblyer me “Oscar” janë miq të mirë, prej ku u takuan për herë të parë në një Festival të filmave për fëmijë në Itali.
Por, Chastain e pranon se pavarësisht miqësisë së tyre të afërt, ajo kishte paksa emocione për të bashkëpunuar me Redmaynen në ekran të madh.
“Epo, është gjithmonë emocionuese kur të vjen mundësia të punosh me një mik të cilin e adhuron, sepse shpreson shumë që ata nuk do të zhgënjejnë. Eddie e luan një rol goxha të komplikuar në film. Prandaj unë ndihesha nervoze sepse nuk doja ta ndryshoja përshtypjen që e kam për të, por fatmirësisht kjo nuk ndodhi. Ai vazhdon të jetë personi i njëjtë i jashtëzakonshëm, si në sheshin e xhirimeve ashtu edhe në jetën reale”.
Ky film e shënon debutimin regjisorial në film të gjuhës angleze për regjisorin danez, Tobias Lindholm. Në të, Jessica e portretizon një infermiere të quajtur Amy, e cila fillon të dyshojë se në spitalin ku ajo punon po ndodhin vdekje të dyshimta të pacientëve, dhe e rrezikon jetën e saj për ta ekspozuar një vrasës serik.
Sipas regjisorit, Redmayne, i cili e gëzon reputacionin e djaloshit të mirë në Hollywood, e portretizon vrasësin e përsosur të këtij projekti.
“E dini, e gjithë premisa e filmit ishte se personazhi i Amyt i kujtoi një vrasësi serik anën e tij njerëzore, dhe për këtë arsye e ndaloi atë. Pra, humanizmi i Eddit ishte kyç për këtë rol. Ai duhej të ishte burri më i mirë në botë, që ne ta kuptonim vërtet se kishte diçka njerëzore përbrenda dhe të cilën ajo mund ta përdorte kundër tij”, deklaroi Lindholm.
“Ishte një rol fantastik. Nganjëherë është shumë argëtuese kur personi më i butë dhe më i sjellshëm në botë, e personifikon një personazh të lig”, përfundoi Chestain.
“The Good Nurse” fillon së shfaquri në platformën Netflix më 26 tetor 2022.