Showbiz

Raportohet se Gomez festoi beqarinë në Cabo, ndërsa Blanco në Vegas

Selena Gomez

Selena Gomez

Foto: Associated Press

Selena Gomez ka festuar fundjavën e kaluar në Cabo San Lucas me shoqet, mes thashethemeve se bëhej fjalë për festën e saj të beqarisë, ndërsa i fejuari, Benny Blanco, ka organizuar festën e tij në Las Vegas. Çifti e bëri publike fejesën dhjetorin e kaluar, pas më shumë se një viti lidhjeje.

Sipas revistës People, Gomez, 33 vjeç, është parë të premten (23 gusht) në një jaht luksoz, duke u shoqëruar me shoqet, duke vallëzuar, duke bërë selfie dhe duke qeshur së bashku. 

Në të njëjtën kohë, Blanco, 37 vjeç, ndodhej në Las Vegas ku po festonte me miqtë e tij. Ai ka ndarë në Instagram disa momente nga udhëtimi, mes tyre një fotografi në një spa që e përshkroi si “vendi më shërues në botë”.

Në një tjetër postim, ku shfaqej ulur para një tavoline të mbushur me ushqime ka shkruar “kurrë nuk do ta harroj këtë fundjavë”, duke e shoqëruar postimin me etiketën e “Resorts World Las Vegas”.

Një burim i ka thënë People se të shtunën, më 23 gusht, Blanco ka shkuar në klubin XS në Wynn Las Vegas rreth orës 2 të mëngjesit, ku performonte Marshmello. Ai ka realizuar një fotografi me DJ-në dhe është shoqëruar edhe nga miku i tij i ngushtë, reperi Lil Dicky.

Blanco i ka propozuar Gomezit në muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe ajo e ndau lajmin me ndjekësit në Instagram.

“Përgjithmonë fillon tani”, pati shkruar ajo duke publikuar fotografi të unazës dhe përqafimit të çiftit. 
Shoqja e saj më e mirë, këngëtarja, Taylor Swift, menjëherë komentoi: “Po, unë do të jem vajza e luleve”.

Vetë Gomez kishte konfirmuar lidhjen në muajin dhjetor të vitit 2023 përmes pëlqimeve dhe komenteve në postime në Instagram, duke zbuluar se Blanco ishte “gjëja më e mirë që më ka ndodhur ndonjëherë”. Pak më vonë, në muajin janar të vitit 2024, burimet i kanë thënë People se këngëtarja ishte “shumë e lumtur” në këtë marrëdhënie.

“Ajo duket sikur po ndihet shumë mirë me veten dhe ndoshta kjo lidhet me Bennyn”, ka thënë një burim.

Në muajin prill 2024, një tjetër burim ka konfirmuar se lidhja e tyre ishte “shumë serioze”. “Benny e bën të ndihet të veçantë. Ajo me të vërtetë mendon se është trajtuar më mirë se kurrë nga një burrë, dhe që kur janë bashkë ajo rrezaton”, ka thënë burimi.

Ani pse festat në Cabo dhe Las Vegas sugjerojnë se dasma po afron, Gomez në podcastin “Therapuss with Jake Shane”, ka thënë se ende nuk kanë hyrë në “detajet e imta” të organizimit për shkak të angazhimeve në punë.

Megjithatë, ajo ka theksuar se mezi pret të martohet me Blancon.

“Nuk mund të jem më e lumtur. Nuk kam qenë kurrë kaq e sigurt për diçka”, ka thënë ajo.