Një nga seritë më të njohura televizive, e cila po transmetohet aktualisht në ekranet e vogla nëpër botë është Atlanta, ndërsa FX ka vendosur t’i gëzojë fansat me një lajm fantastik.
Qysh në qershor të vitit të kaluar kishte arritur miratimi për sezonin e tretë, ndërsa rrjeti televiziv ka vendosur t'ia japë dritën e gjelbër edhe sezonit të katërt, edhe pse produksioni i sezonit të tretë nuk ka filluar ende.
Të dy sezonet mendohet se do të fillojnë me produksion në pranverën e vitit 2020, kështu që Donald Glover dhe ekipi njëkohësisht duhet t’i xhirojnë sezonin e tretë dhe të katërt. Secili prej sezoneve do t’i ketë nga tetë episode.
FX e ka pranuar edhe më parë se me sezonin e tretë do të vonohet pak për shkak të orarit të stërngjeshur të Glover, shkruan KOHA Ditore. Përveç Atlantas, Glover e ka edhe karrierën filmike, ndërsa gjithashtu është edhe muzikant i suksesshëm i njohur si Childish Gambino, kështu që është e vështirë që në orarin e tij të futet edhe xhirimi i episodeve të reja, prandaj të dy sezonet do të xhirohen njëkohësisht.

Ngjarjen e sezoneve të reja nuk e dimë akoma, dhe është e vështirë që ajo të parashikohet, duke pasur parasysh se Glover dhe ekipi gjithmonë e kanë ndonjë ide dhe befasi të re. Ende nuk e dimë as kur do të fillojnë me transmetimin, por supozojmë se kjo mund të ndodhë në vitin 2021.