Falë mjeshtërisë së regjisorit gjerman, Daniel Stamm, filmi i ri “Prey for the Devil” po konsiderohet hiti i papritur i zhanrit horror për këtë vit.
Pas një rritjeje globale të njerëzve të pushtuar nga shpirtrat djallëzor, kisha katolike vendos t’i rihapë shkollat e saj të ekzorcizmit, në mënyrë që të trajnohen priftërinjtë në Ritin e Ekzorcizmit.
Filmi fokusohet në historinë e një murgeshe të quajtur Ann, e cila është përndjekur nga një shpirt i ligë gjatë gjithë jetës, i cili e konsumoi dhe shkatërroi nënën e saj. Megjithatë, ndryshe nga filmat e mëparshëm që flasin për pushtimet nga djalli dhe ekzorcizmi, demoni që ndjek Annan ka aftësinë të kërcejë nga trupi në trup dhe pas vitesh përpjekjesh, më në fund përqendron vëmendjen te murgesha e re dhe bëhet i vendosur që ta pushtojë atë.
Në film luajnë aktorë të njohur si: Jacqueline Byers, Colin Salmon, Christian Navarro, Lisa Palfrey, Nicholas Ralph, Virginia Madsen dhe Ben Cross.
Horrori “Prey for the Devil”, ka filluar së shfaquri nëpër kinematë botërore të premten më 28 tetor.