Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Phoenixi i dobësuar i kishte ndjekur udhëzimet duke ngrënë vetëm një mollë në ditë?

Aktorët heqin dorë nga shumë gjëra për ta fituar një rol në ndonjë film apo seri. Shembulli më aktual është Joaquin Phoenix (44) i cili nuk njihet dot prejse e fitoi rolin kryesor në filmin e ri për Jokerin.

Në mes të shtatorit të vitit të kaluar, ai u shfaq në festivalin e filmit në Toronto, ku i habiti të pranishmit me pamjen e tij. Phoenix ka humbur peshë aq shumë saqë adhuruesit në rrjetet sociale shkruan se i është përkushtuar shumë rolit të ri dhe se ngjason me personazhin e Joker nga stripat e Batmanit.

“Ta hajë dreqi, tani duket i frikshëm”, – u pajtuan ndjekësit dhe thanë se aktori kishte humbur shumë peshë.

Në industrinë e filmit ka shumë shembuj të humbjes së menjëhershme të peshës ose shtimit të saj. Christian Bale (45) i humbi 30 kilogramë për filmin “The Machinist” duke e respektuar frazën “më pak është më shumë”. Në ditë ai e hante një mollë ose një kënaçe me peshk ton.

Shikuesit u tallën se Phoenix kishte humbur peshë në mënyrë drastike për shkak se i kishte ndjekur udhëzimet e Bales për heqjen e kilogramëve, shkruan KOHA Ditore.

“Është e vështirë të humbësh ose të shtosh peshë për rolin, por bëni atë që është e nevojshme. Sapo të kesh kaluar një herë në këtë proces, e di se çfarë të pret në të ardhmen, por prandaj edhe ke më shumë stres”, - tha Joaquin.