Gjatë fundjavs së kaluar Phil Collins është ribashkuar me ish-kitaristin e tij nga bendi “Genesis”, Mike Rutherford, për herë të parë pas 12 vjetësh.
Rutherford dhe bendi i tij “Mike + The Mechanics” e kanë mbështetur Collins për koncertet e fundit solo të yllit gjatë turneut “Not Dead Yet”, por të premten (7 qershor) kitaristi u bashkua me këngëtarin në skenë në Berlin, Gjermani për ta performuar hitin e tyre të vitit 1978 “Follow You Follow Me”. Ishte kjo hera e parë që ata interpretuan së bashku që kur “Genesis” u ribashkua për një turne të vitit 2007, ndërsa ribashkimi shkoi aq mirë sa që dyshja e përsëriti atë të shtunën në Aarhus, Danimarkë, shkruan KOHA Ditore.

Collins dhe Rutherford në të kaluarën kishin aluduar për një ribashkim të “Genesis”, por ende nuk ka plane zyrtare.
"Nëse bëjmë ndonjë gjë mendoj se duhet të jetë me (djalin) Nic në bateri, sepse unë nuk mendoj se jam i aftë për të", kishte thënë Collins, bateristi origjinal i “Genesis”, për “Rolling Stone” vitin e kaluar.
"Gjithmonë them ‘Kurrë mos thuaj kurrë’," shtoi Rutherford më herët këtë vit. "Shikoni, nëse do të më pyesnit dy ose tre vjet më parë kur Phil u pensionua, do të kisha thënë, 'Jo', por nuk ka plane. Le ta themi këtë... por kurrë mos thuaj kurrë. Fakti që ai është kthyer në turne është mjaft interesant".