Showbiz

Pete Davidson do të bëjë 50 orë shërbim për komunitet

Pas aksidentit të shkaktuar nga Pete Davidson, me ç’rast e përplasi veturën në një shtëpi në Beverly Hills, aktori dhe komediani ka hyrë në një program diversioni, çka nënkupton se është bërë pezullimi i procedurës penale ndaj tij për një periudhë të caktuar kohore dhe me kushte të caktuara. Nëse ai nuk arrin të përmbushë këto kushte, procedura penale do të rifillojë. Si pasojë, Davidson do t’i përmbushë 50 orë shërbim për komunitetin.

Ylli 29-vjeçar i emisionit “Saturday Night Live” besohet se shërbimin e tij do ta kryej me Departamentin e Zjarrfikësve të New Yorkut, ku punonte babai i tij i ndjerë. Kështu kanë bërë të ditur prokurorët e Qarkut të Los Angelesit. Davidson ishte 7-vjeçar kur babai i tij, Scott, zjarrfikës nga New Yorku, vdiq duke shërbyer në vendin e ngjarjes ku ndodhën sulmet e 11 shtatorit.

Davidson u deklarua i pafajshëm për kundërvajtjen. Kur ai u padit më 16 qershor, prokurorët e quajtën aksidentin e shkaktuar nga aktori një “përplasje e rëndë”. Nuk është raportuar për të lënduar.

Pete vazhdon të jetë i angazhuar si aktor dhe komedian. Seriali i tij i fundit, “Bupkis”, debutoi në Peacock në muajin maj si dhe së shpejti vjen me rol në filmin e ardhshëm, “Dumb Money”.