Ylli i filmave “Thor”, Chris Hemsworth, vitin e kaluar nënshkroi marrëveshje për ta portretizuar legjendën e mundjes, Hulk Hogan, në filmin e ardhshëm biografik i cili ende nuk ka filluar të xhirohet.
Por së fundmi u bë e ditur se aktori 36-vjeçar nga Australia, tashmë ka filluar të mendoj rreth transformimit të trupit të cilin do të duhet ta bëjë, në mënyrë që ta portretizojë sa më saktë këtë rol, transmeton Koha.
Duke folur për portalin “Total Film”, Hemsworth tha: “Ky film do të jetë mjaft argëtues. Siç mund ta imagjinoni, përgatitjet fizike për këtë rol do të jenë tejet sfiduese. Do të më duhet të shtoj edhe më shumë peshë dhe muskuj, madje më shumë se kur e portretizoja Thorin. Më pas duhet të merrem me përvetësimin e theksit dhe sjelljeve të këtij personazhi. Gjithashtu, do të më duhet të hulumtoj pak më thellë në botën e mundjes, gjë që mezi pres ta bëjë.”
Pavarësisht se Hemsworth është i emocionuar ta sjellë personazhin ikonik, Hulk Hogan, në ekran të madh, ai thotë se xhirimet e këtij projekti janë ende larg, pasi ende nuk e ka pranuar ndonjë skenar. Sipas tij, filmi është në zhvillim e sipër.
Aktori dhe regjisori, Todd Phillips, ishin takuar para një viti për të diskutuar për këtë projekt, duke u munduar të vendosin se cilën periudhë të jetës së Hoganit ta shtjellojnë në film. Nga aty, ka filluar dhe puna rreth skenarit i cili ende nuk ka përfunduar.
Por, Chris Hemsworth ka deklaruar që sapo ta ketë skenarin në duar, do t’i fillojë edhe hulumtimet e tij.