Kivanç Tatlitug dhe Tuba Büyüküstün janë çifti i telenovelës më të famshme turke “Trimi dhe e Bukura”, i cili shfaqet çdo ditë nga e hëna deri të premten në KTV.
Kivanç Tatlitug ka lindur më 27 tetor 1983 në Adana ndërkaq bashkëshortja e tij është Başak Dizer, ndërsa aktorja Tuba Büyüküstün ka lindur më 5 korrik 1982 në Stamboll. Ajo është e martuar me Onuk Saylak dhe ka 2 binjake, përcjell Koha.net.
“Trimi dhe e Bukura” me titull origjinal “Cesur ve Güzel” është telenovelë turke, e cila kishte nisur të transmetohej në “Star TV” në fund të vitit 2016.
Është realizuar nën regji të Ali Bilgin, me producentë Kerem Çatay dhe Pelin Dishtash Yasharglu, dhe ka në role kryesore trimin Kivanç Tatlitug dhe të bukurën Tuba Büyüküstün.
Personazhi Tahsin është kryesues i familjes Korludagh. Ai është i pasur dhe të gjithë njerëzit që jetojnë përreth tij i frikësohen dhe e respektojnë. Ai i kontrollon të gjithë dhe gjithçka që ndodh në qytet. Ai e ka një djalë – që quhet Korhan - dhe një vajzë që quhet Sühan, të cilët i do më shumë se gjithkënd tjetër. Gruaja e Korhanit është duke dështuar në përpjekjet e saj për të mbetur shtatzënë dhe për të lindur një trashëgimtar për pasurinë e familjes para se një gjë të tillë ta bëjë Sühan. Kështu që ajo provon ta vrasë atë, por planet e saj djallëzore prishen kur një i huaj i pashëm hyn në rrëfim, duke shpëtuar jetën e Sühanit. Ky djalosh i ri e i pashëm quhet Cesur Karahasanoghlu, i cili e ka ndryshuar mbiemrin e tij në Alemdaroglhu për të mos u identifikuar. Askush nuk e di që në venat e Cesurit rrjedh hakmarrja. Ai është kthyer në familjen Korludagh për të rikthyer ato që i takonin të atit të tij, të cilin e kishte vrarë Tahsini para disa vjetësh.
Kujtojmë se aktorja nga kjo telenovelë, njihet edhe për interpretimin e saj në telenovelën ‘Diamante dhe Dashuri ‘si Elif, ndërsa Kivanç njihet për rolin e tij në ‘Dashuri e Ndaluar’ si Behluli.
Tuba Büyüküstün në anën tjetër në Turqi njihet si ndër femrat me më së shumti pasuri.
Ajo është e angazhuar kryesisht në projektin e ri“Trimi dhe e Bukura”, në të cilin shfaqet në krah të aktorit më me zë në Turqi, Kivanç Tatlitung.
Sa i përket jetës familjare, ajo ka treguar se nuk ka shumë kohë t’i përkushtohet burrit dhe binjakeve të saj 4 vjeçare Maya dhe Toprak.
Aktorja ka thënë se preferon që gjërat nga jeta personale t’i kursej vetëm për vete, në anën tjetër thotë se preferon që jeta t’i sjellë befasi e disa gjëra t’ia lë ritmit të jetës.
Ndërkaq për sa i përket aktorit Kivanç Tatlitug, ai cilësohet si aktori më i bukur në Turqi dhe ndër të tjera telenovelat e fundit duke përfshirë edhe “Trimi dhe e Bukura” po i sjellin atij fitime të shumta.
Nga kjo telenovelë, sipas revistës turke milliyet.com, aktori ka përmbyllur marrëveshjen duke fituar 2 milionë dollarë. Ndërkaq nga një kompani xhinsesh, ai merr 130 mijë lira turke në javë.
Por megjithatë, vlen të përmendet se aktori është gjithashtu pjesë e reklamave të shumta në Turqi.