Showbiz

Gazetarja austriake e akuzon P.Diddyn për përdhunim dhe drogim gjatë një turneu në Evropë

P.Diddy dhe Kathi Steininger

P.Diddy dhe Kathi Steininger

Ndërkohë që reperi i njohur amerikan Sean “Diddy” Combs, 55 vjeç, po përballet me gjyq në New York për akuza të rënda si trafikim seksual dhe zhvatje, një gazetare austriake ka dalë publikisht me akuzë të re ndaj tij. Ajo pretendon se ai e ka droguar dhe përdhunuar gjatë një turneu në Evropë në vitin 2000, ka raportuar The Sun

Gazetarja 44-vjeçare Kathi Steininger, në një intervistë për televizionin austriak PULS 24, ka deklaruar se sulmi ka ndodhur kur ajo ishte vetëm 19 vjeç, menjëherë pas një interviste me Combsin. Ajo pretendon se u nda nga kameramani, iu ofrua një pije nga Combs dhe më pas i humbi ndjenjat.

Gazetarja austriake Kathi Steininger

“Ishte 100 për qind diçka brenda saj”, ka thënë ajo për pijen dhe ka shtuar se “nuk do të shkoja kurrë me dëshirë në shtrat me atë burrë”.

Sipas saj, ajo u zgjua në pjesën e pasme të autobusit të turneut, ku e kuptoi se po përdhunohej. Sulmi, sipas saj, la pasoja të rënda psikologjike, përfshirë çrregullim post-traumatik që e pengoi të punonte për vite me radhë.

Steininger ka shprehur dëshirën për të dëshmuar në procesin gjyqësor aktual në SHBA, por autoritetet i kanë thënë se rasti i saj është jashtë afatit ligjor për ndjekje penale, sepse ajo dhe Combsi ishin jashtë shtetit. 

Për këtë arsye, ajo ka vendosur të heqë dorë nga anonimiteti dhe të ndajë historinë e saj me publikun, duke shpresuar për drejtësi dhe hetim të mundshëm në Austri.

Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj Combsit, që ka nisur në muajin maj 2025, fokusohet në akuza për një skemë të gjatë më shumë se një dekadë, ku ai thuhet se ka përdorur dhunë, manipulim emocional dhe drogë për të detyruar gra të marrin pjesë në orgji të ashtuquajtura “freak-offs”.

Në qendër të akuzave është edhe ish-e dashura e tij, këngëtarja Cassie Ventura, 38 vjeçe, e cila në muajin nëntor 2023 e ka paditur Combsin për përdhunim, dhunë fizike dhe detyrim për të marrë pjesë në orgji. Padia u zgjidh jashtë gjykatës vetëm një ditë më pas, por çështja vazhdoi të marrë vëmendje të madhe.

Në muajin maj të vitit 2024, u publikua një video e kamerave të sigurisë nga viti 2016, ku Combs shihet teksa e dhunon fizikisht Venturan në një korridor hoteli. Videoja, e publikuar nga CNN, u cilësua si provë që mbështet akuzat e saj.

Ndërkohë, Combs i ka mohuar të gjitha akuzat. Një nga avokatët e tij mbrojtës, Ben Brafman, i ka cilësuar pretendimet e Venturas si “të turpshme dhe absurde”.

Gjyqi pritet të zgjasë disa javë dhe do të përfshijë dëshmi nga disa gra që pretendojnë se janë abuzuar. 

Nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat, Combs rrezikon dënimin maksimal me burgim të përjetshëm.